Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka dërguar një shkresë institucioneve kryesore qendrore për t’u rikujtuar se nga sot nis detyrimi i tyre në zbatimin e ligjit për të raportuar në këtë institucion aktivitetet gjatë këtyre 4 muajve deri në zgjedhjet e 14 majit.
Shkresa u është dërguar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe 15 ministrive, si dhe 61 bashkive të vendit duke u kujtuar detyrimet dhe ndalimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor.
“Duke filluar nga data 13 janar 2023 deri në datën 14 maj 2023, çdo organ publik ka detyrimin të raportojë paraprakisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbi veprimtaritë publike të kryera nga titullari dhe/ose çdo punonjës i administratës, apo personeli tjetër i institucionit.
Një veprimtari është publike kur ajo do të pasqyrohet sipas rastit në radio, në televizion, në shtyp, në faqe interneti, në median online, në rrjete sociale, ose nëpërmjet çdo mjeti tjetër që mundëson publikun e gjerë të njihet, apo të informohet mbi atë veprimtari; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të njoftohet për zhvillimin e veprimtarisë publike të paktën 5 (pesë) ditë përpara datës së parashikuar për zhvillimin e saj; Zhvillimi i çdo veprimtarie me karakter publik, sipas përcaktimeve të pikave 1 dhe 2 të kësaj kujtese, me pjesëmarrjen e punonjësve të organeve publike duhet të raportohen. Ndalohet në këto veprimtari përdorimi i shenjave, logove, sloganeve, pankartave, posterave të lëvizshëm ose jo, materialeve propagandistike që identifikojnë drejtpërsëdrejti, apo tërthorazi një parti politike/ subjekt zgjedhor apo kandidat në zgjedhje.
Gjatë zhvillimit të veprimtarive ndalohen thirrjet apo fjalimet me përmbajtje partiake ose zgjedhore në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati. Promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit dhe përfaqësuesve të partisë politike konsiderohet si veprimtari politike zgjedhore.
Pjesëmarrja e punonjësve të administratës brenda orarit zyrtar të punës në këtë lloj veprimtarie konsiderohet shkelje e dispozitave të Kodit Zgjedhor, Ndalohet promovimi i projekteve të ndryshëm në investime, shërbime, për të cilat fondet janë planifikuar pas datës 13 Janar dhe jashtë programit vjetor buxhetor të miratuar në fillim të vitit. Ndalohet shpërndarja publike e lejeve të legalizimit dhe/ose çdo titulli pronësie në periudhën e përcaktuar në këtë kujtesë”