Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se i kishte thënë këshilltarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, se çdo formë e njohjes formale apo joformale të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit në Kombet e Bashkuara janë “vija të kuqe” që Beogradi nuk do t’i kalojë.
Më 12 janar, këshilltari në Departamentin e Shtetit Amerikan, Derek Chollet, ishte në Beograd, ku foli me Vuçiqin dhe kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq.
Vuçiq u tha gazetarëve se me diplomatin amerikan ka diskutuar për planin franko-gjerman për Kosovën.
“Ne kemi treguar se cilat janë linjat tona të kuqe. Çdo formë e njohjes formale ose joformale të pavarësisë apo dhënies së anëtarësimit në OKB, ne nuk duam dhe nuk mund ta diskutojmë atë dhe kjo është pjesë përbërëse e atij plani”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se pjesa tjetër mund të diskutohet.
Plani franko-gjerman është në fakt plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i Serbisë shprehu mirënjohjen e tij që administrata amerikane insiston në formimin e Unionit të Komunave Serbe (USO), për të cilën është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Vuçiq, megjithatë, vlerësoi se “është e pamundur të arrihet progres nëse dikush vazhdimisht i referohet akteve të veta ligjore”.
“Kur ju insistoni që diçka duhet të jetë në përputhje me, siç thonë, Kushtetutën e Kosovës, atëherë pse kemi negociuar, për çfarë kemi negociuar”, ka pyetur Vuçiq.
Qeveria aktuale e Kosovës e kryeministrit Kurti kundërshton formimin e ZSO-së, duke konsideruar se komunat nuk duhet të organizohen sipas parimeve etnike.
Kurse Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se parimet për formimin e Komunitetit nuk janë plotësisht të harmonizuara me frymën e Kushtetutës, por deklaroi se mund të harmonizohen.
Para vizitës në Beograd, këshilltari në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet, ishte në Kosovë. Ai u tha autoriteteve në Prishtinë se “Kosova duhet t’i përmbushë të gjitha obligimet nga dialogu, përfshirë edhe formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u tha gazetarëve se përveç Kosovës, me diplomatin amerikan ka biseduar edhe për marrëdhëniet dypalëshe, situatën në rajon, si dhe Rusinë dhe Ukrainën.