Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur se largimi i deputetit të Shkodrës, Agron Çela nga PL te PS, nuk përbën asnjë shqetësim për të.
Në një intervistë për “Syri Tv”, Meta tha se nuk ka pasur asnjë komunikim nga deputeti, teksa shtoi se ai është i lirë të shkojë ku të dojë. I pyetur nëse personat që largohen nga Partia e Lirisë, a do i pranonte sërish në forcën e tij politike, Meta e la të nënkuptohet se nuk ka më vend për të.
Gazetari: Si ka mundësi që Agron Çela iku dhe iu bashkua Ramës?
Meta: Kjo s’është pyetje për mua. Për arsye sepse unë nuk pengoj asnjë që të bashkohet me partinë e Ramës. Nuk kam pasur asnjë kontakt, asnjë njoftim prej tij. 3-4 ditë përpara daljes së lajmit të tij, kemi qenë në një mbledhje kryesie, më pas ishim në një aktivitet në Shkodër. Bëri një zgjedhje të tij. Ishte i pavarur.
Gazetari: Në një deklaratë Çela thotë se ka gjetur lumturinë në PS.
Meta: Në regjimin e Edi Ramës çdo gjë mund të ndodhë. Kush është shqetësimi këtu? Iku një deputet i opozitës që nuk foli kurrë kundër qeverisë? Ka votuar ndonjëherë kundër qeverisë? Jo s’ka votuar. Kur kam qenë dikur në LSI, iku një deputet në Fier, më pas morëm dyfishin e votave.
Gazetari: Nëse këta të larguarit bëhen pishman, a do i pranonit sërish në forcën tuaj politike?
Meta: Nuk dua të merrem me këtë çështje. Unë mendoj që ajo që tha zoti Curri është më e sakta. Secili ecën dhe promovohet në bazë të meritave që ka sot, do ketë nesër. Në Shkodër, edhe në 2019-ën PS-ja ishte vetëm, e humbi. Efekti PD-PL do jetë shumë herë më i lartë se në 6 mars. Shkodra e di që kjo nuk është zgjedhje individësh. Nuk ka rëndësi nga janë të konvertuarit. Shkodra e di se si ka vuajtur në të kaluarën nga një regjim monist. Raporti me Shkodrën është solid.