Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka nisur procedurat disiplinore kundër Federatës së Futbollit të Argjentinës për sjellje të pahijshme të lojtarëve dhe shkelje të ‘lojës së ndershme’ në finalen e Kampionatit Botëror.
Rreth tre orë pas mbarimit të ndeshjes, lojtarët e udhëhequr nga kapiteni Lionel Messi vrapuan dhe kënduan nëpër zonën e dedikuar për intervista zyrtare dhe dëmtuan muret e dobëta ndarëse. Ata gjithashtu nuk u ndalën për të komunikuar me mediat ndërkombëtare.
Akuzat disiplinore përfshijnë “sjellje ofenduese dhe shkelje të parimeve të lojës së ndershme”, por nuk i referohen sjelljes së portierit argjentinas Emiliano Martinez, i cili, në fushë, tundi në mënyrë të papërshtatshme trofeun e fituar për portierin më të mirë në Kampionatin Botëror.