Një grua e cila disa vite më parë, është detyruar të punojë në përpunimin e kanabisit ka treguar se paguhej 1500 lekë për përpunimin e 1 kg kanabis.
Në një rrëfim pa emër dhe pa fytyrë për Euronews, gruaja thotë se u detyrua ta bëne një punë të tillë, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Ajo shprehet se detyra e saj ishte ta përpunonte, ta fuste në qese dhe ta peshonte.
“Gjendja ekonomike, gjendja financiare. Lamë shtëpinë, fëmijët, na detyronte halli. Brenda ishim të ngujuara, me familjarët flsinim në telefon në darkë, jo gjatë orarit të punës. Bëhet fjalë për vitin 2016, në fakt në zonën tonë nuk ishte mbjellë kurrë dhe nuk njihej se çfarë ishte. Na e mësuan si përpunohet, si qethet, si rregullohet, çfarë forme duhet të vinte boçja. E fusnim në qese që e peshonim. Pastaj ata e hidhin vetë në thasë dhe nuk e di se ku e dërgonin. U detyruam të shkonim të punonim për lekë. Pa punë unë, burri, djali, u detyruam. Skamje, gjendje ekonomike. Paguheshim 1500 lekë për 1 kg kanabis, kur bënim 2 kg 3000 lekë. Nuk bëheshin kollaj 2 kg, ishte e vështirë. Punuam 2 muaj, shtator deri në fund të nëntorit. Në jug. Me orar të zgjatur punonim, me kushte të vështira, ftohtë ishte. Në kasolle punonim. Që punonim bashkë ishim 10, por ishin pafund”, theksoi ajo ndër të tjera.