Kuvendi i Arbërit, është përkujtuar ditën e sotme nëpërmjet një veprimtarie kulturore, në 320-vjetorin e mbajtjes së tij në kishën e Mërqisë në Lezhë, në datat 14 dhe 15 janar të vitit 1703.
Historianë, autoritete lokale, deputetë, banorë të zonës si dhe përfaqësues nga trevat shqiptare ishin të pranishëm në ketë aktivitet, ndërsa u promovua edhe relacioni i përkthyer në shqip nga Imzot Vinçens Zmajeviq. Për kryetarin e bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu kjo ngjarje përkujtimore po merr gjithnjë e më shumë vëmendje dhe për këtë arsye po kaq vëmendje i është kushtuar restaurimit të këtij objekti kulti dhe aksesit të saj në infrastrukturë.
Kuvend i Arbërit u mbajt për të ruajtur kristianizmin në tokat e Arbërisë kryesisht të veriut dhe të Kosovës. Ai u mbajt në gjuhën latine dhe në arbërisht, por u fol për herë të parë për elementin shqiptar dhe gjuhën shqip. Ky element shqiptar dhe gjuha shqip iu atribuuan arbërisht folësve apo më mirë shqip folësve myslimanë të cilët ishin kryesisht arbër të konvertuar në myslimanë ose të huaj të ardhur nga provincat e largëta të Perandorisë Osmane.
Vendimet e Kuvendit kishtar të Arbërit qenë të rëndësishme në lidhje me rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, rigjallërimin e fesë dhe nxitjen e popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar.