Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj ka kontaktuar me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi pas tërmetit të mbrëmjes së djeshme me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter.
Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Mehaj shkruan se gjatë një bisede telefonike me Peleshin i ka ofruar këtij të fundit të gjithë ndihmën dhe kapacitetet specialiste të FSK-së në mbështetje të qytetarëve të Shqipërisë.
“Nga autoriteti im zyrtar dhe përgjegjësia vëllazërore, i shpreha gatishmërinë e plotë dhe të menjëhershme për mbështetje në reagim me të gjitha kapacitetet tona specialistike operacionale të FSK-së. Përveç mirënjohjes vëllazërore, Ministri Peleshi më gëzoi me informacionin se aktualisht gjendja është nën menaxhim dhe kontroll të strukturave të Mbrojtjes Civile të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkisë së Klosit.
Së bashku me Ministrin Peleshi do të jemi në komunikim intenziv, si gjithmonë, për monitorim të situatës në vazhdim. Në të mirë e në vështirësi jemi bashkë si gjithmonë”, shkruan Mehaj.