Paraditen e së hënës, Shtabi i Emergjencave u mblodh në Klos pas tërmetit të mbrëmjes së djeshme.
Epiqendra e tërmetit u regjistrua 14 kilometra në juglindje të Burrelit dhe 23 kilometra në verilindje të Tiranës. Sipas Qendrës Europiane të Sizmologjisë, fillimisht, tërmeti u raportua me magnitudë 5,24, ndërsa më pas është saktësuar në 4,7.
Ndërkohë, lëkundja e dytë ka qenë me magnitudë 4,1. Deri tani, raportohet për dëmtime të lehta dhe pa pasoja. Ka 8 ankesa në njësinë Xibër, 2 në njësinë Gur dhe 12 në Klos.
Shqipëria u lëkund mbrëmjen e djeshme nga një tërmet i fortë, i cili ka shkaktuar shqetësime te qytetarët, kryesisht në veri dhe në Tiranë.
Tërmeti u ndje në 4 shtete, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe Mal të Zi.
Gjatë natës numërohen të paktën dhe 8 pasgoditje të tjera me magnitudë 2 ose pak mbi 2 që kanë ndodhur në territorin shqiptar. Ajo që vihet re është se epiqendrat e lëkundjeve nuk janë vetëm në veri, por edhe në Bilisht apo Konispol.
Tërmeti i rënë mbrëmjen e kaluar kishte një intensitet rreth 4.7 ballë të shkallës Rihter.
Epiqendra e tërmetit ka qenë 25 kilometra në veri-lindje të Tiranës, ku intensiteti mësohet të ketë qenë rreth 6 ballë.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bëri të ditur se janë raportuar dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos, në disa banesa ku ka pasur plasaritje të mureve.