Në prag të zgjedhjeve të 14 majit, presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një takim me kreun e KQZ-së, Ilizjan Celibashi. Në përfundim të takimit, Begaj e ka vënë fokusin tek procesi, duke e qujatur atë një provë rë rëndësishme maturie.
Në një postim në rrjetin social “Facebook” Begaj u tregoi çështjet kryesore në të cilat u ndal.
“Ftova sot në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi për të diskutuar mbi përgatitjet e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Gjithashtu vura theksin për rëndësinë që kanë këto zgjedhje jo vetëm si mundësi e mirëpritur për të shprehur vullnetin politik, por edhe si provë e rëndësishme maturie për vetë sistemin tonë demokratik – shkroi Begaj.
Ai ka pasur edhe një mesazh për partitë politike.
“Gjej rastin t’i bëj thirrje publike të gjitha subjekteve të këtij ligji që ta zbatojnë atë me përpikmëri dhe të inkurajoj KQZ-në për një monitorim e zbatim korrekt të tij. Të gjithë shqiptarët dëshirojnë një garë të ndershme dhe të barabartë të kandidatëve në fushatë. Nëpërmjet zbatimit të ligjit ne ua garantojmë këtë” – përfundoi presidenti.
Zgjedhjet vendore do të mbahen në 14 maj, e ndërsa pritet të jetë një betejë politike, jo vetëm mes partive kryesore në vend, por do të jetë një garë e fortë edhe mes demokratëve me dy grupet, njëri i drejtuar nga Sali Berisha dhe tjetri nga Enkelejd Alibeaj.