Moti i keq/ Rrëshqitje e dherave dhe gurëve, bllokohet rruga e Prekalit në Shkodër

Moti i keq në vend ka nisur të sjellë problemet e para.

Mësohet se lëvizja drejt Prekalit në Shkodër është totalisht e pamundur pasi rruga është bllokuar. Shkak janë bërë rrëshqitjet e gurëve e dherave në aksin Mes-Ura e shtrenjtë.

Aksi po pastrohet në mënyrë që qarkullimi t’i kthehet normalitetit, por për momentin, kalimi është i pamundur.

Ndërkohë sipas Institutit të Gjeoshkencave ditën e sotme, i gjithë vendi do të përfshihet nga reshje të dendura shiu. Situata në veri të vendit pritet të jetë problematike, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë. Gjatë ditës reshjet do të jenë me intensitet të ulët, por në mbrëmje do të intensifikohen.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, në këto zona mund të ketë vërshime të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Ndërsa në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Gjithashtu pritet një rritje e prurjeve të lumenjve kryesore, veçanërisht në lumenjtë Drin-Buna dhe liqenin e Shkodrës. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes u kërkon Bashkive marrjen e masave në rast të përkeqësimit të situatës.

Në zonën e Alpeve parashikohen reshje tepër të dendura dëbore në formën e stuhive të dëborës. Ndërsa në zonat malore në lartësinë mbi 800-900 metra reshje dëbore me intensitet të ulët. Vendi ynë u përball me përmbytje edhe në muajin dhjetor, ku qarqet më problematike ishin Shkodra dhe Lezha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *