Ministra e Arsimit Evis Kushi ka reaguar për rastin e mësuesit në Tepelenë, i cili dyshohet se abuzoi me një nxënëse dhe më pas u dhunua nga të afërmit e saj.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Kushi shkruan se mësuesi është pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimit dhe nëse fajësia vërtetohet atëherë ai do të përjashtohet nga sistemi arsimor. Kushi thotë se një nen i ri është përfshirë në ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe shumë shpejt do të kalojë në parlament.
“Kemi ndjekur nga afër ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në Tepelenë, ku një mësues është dhunuar, pasi akuzohet nga familjarët për abuzim ndaj vajzës së tyre. Për mësuesin është marrë masa e ndalimit nga policia dhe Zyra Arsimore Tepelenë ka marrë sot vendimin për pezullimin e mësuesit nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Nxënëses menjëherë i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social dhe gjithashtu drejtoria dhe stafi i shkollës do të vijojnë mbështetjen për vajzën dhe familjen e saj, për ta kapërcyer këtë situatë.
Besojmë fort se organet e drejtësisë do ta zbardhin shumë shpejt të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe do të marrin vendimet e duhura ligjore. Siç e kemi bërë të ditur edhe më parë, qëndrimi ynë për këto raste është i prerë dhe nëse vërtetohet fajësia, krahas dënimit nga organet e drejtësisë, personat përgjegjës përjashtohen përgjithmonë nga sistemi arsimor. Për këtë arsye, kemi përfshirë një nen të ri në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili do të miratohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk do të lejojmë të punojë në institucionet tona arsimore askënd që cënon shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë”, shkruan Kushi.