Pastruesja i vodhi 120 mijë euro/ Humb jetën xhaxhai i Alda Klosit. Çfarë ndodh me alibinë se lekët ishin të tijat?

Rasti i ish-zyrtares Alda Klosit e cila u vodh nga pastruesja e shtëpisë, Rozeta Dobi, duket se do hetohet për një kohë të gjatë pasi ngjarja po merr një tjetër rrjedhë.

Alda Klosi e justifikon shumën e 120 mijë eurove si para të mbledhura për xhaxhain e saj, i cili jetonte në Amerikë, ku po kurohej nga një sëmundje e rëndë.

Burime ekskluzive për Priza.al bëjnë me dije se Ylli Çika, xhaxhai i ish-zyrtares ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme me orën tonë dhe mëngjesin e sotëm me orën amerikane pasi ai jetonte në Boston së bashku me familjen e tij.

Ajo çfarë vihet në pikëpyetje tashmë është se:

  1. Alda ka përdorur sëmundjen e xhaxhait për të shpëtuar veten, apo
  2. Me vjedhjen e parave të mbledhura për kurimin e tij, Rozeta ka lënë pa trajtim të ndjerin dhe tashmë ndaj saj duhet të rëndojë një akuzë e re e cila është ajo e vrasjes?

Ndonëse Prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet mbi pasurinë e ish-zyrtares Alda Klosi, kjo gjë ende nuk është zbuluar.

Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se verifikimet janë të domosdoshme pas deklarimeve dhe dokumentave që Klosi ka paraqitur përpara hetuesve për të justifikuar shumën prej 120 mijë eurosh që i vodhi pastruesja Rozeta Dobi.

Prokuroria do të verifikonte nëse xhaxhai i Alda Klosit do të pranonte se janë të tijat dhe nëse këto para vijnë nga burime të ligjshme por, tashmë kjo gjë mbetet në ‘errësirë’ pasi personi në fjalë ka humbur jetën.

Sipas dokumenteve të administruara deri më tani, prokurorët kanë evidentuar se xhaxhai i ka dhuruar Alda Klosit dy apartamente në Shëngjin. Ish-zyrtarja, në deklaratat e saj të pasurisë ka treguar se është bërë pronare e dy shtëpive në zonën bregdetare të Lezhës, njëra me sipërfaqe 94.86 metra katrorë dhe tjetra me sipërfaqe 42.35 metra katrorë, nëpërmjet kontratave të dhurimit që datojnë në tetor 2021. Ndërsa është ende e paqartë nëse xhaxhai i ndjerë është i njëjti person me atë që i dhuroi Alda Klosit dy shtëpitë në Shëngjin.

Ndaj ish-zyrtares ka nisur një hetim kryesisht për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Mos deklarim të pasurisë” pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive në Tiranë./Priza.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *