Mediat në Kosovë kanë publikuar një draft i statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dokumenti që e ka publikuar RTV Dukagjini përmban 18 nene ndërsa që në nenin e parë theksohet se Asociacioni është një entitet legal i themeluar në bazë të Kushtetutës dhe sistemit ligjor të Republikës së Kosovës.
Pos kësaj në pikën e dytë të nenit të parë theksohet se statuti i asociacionit është akti më i lartë juridik i këtij mekanizmi ndërsa miratohet nga Kuvendi Themelues i këtij asociacioni.
Po në pikën tre të nenit të parë theksohet edhe një gjë shumë e rëndësishme. Aty është paraparë që statuti të miratohet edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe do të marr verifikim edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Një nga dilemat më të mëdha që është ngritur gjithmonë në Kosovë është fakti se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, do të jetë nivel i tretë i pushtetit në Kosovë.
Kjo çështje në draftin e statutit të hartuar nga FES është trajtuar në nenin katër. Aty thuhet se asociacioni në asnjë mënyrë nuk do zëvendësoj apo cenoj kushtetutshmërinë dhe marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve qendrore dhe atyre lokale në Republikën e Kosovës.
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se marrëveshja për Asociacionin, është marrëveshja e vetme e nënshkruar në Bruksel që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e asociacionit. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij asociacioni. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni një etnik.