Grupet kriminale duket se kanë vënë nën monitorim policinë dhe këdo që ata i rrezikon.
Disa ditë më parë u zbulua se në Shkodër ishin montuar me dhjetra kamera sigurie nga grupet kriminale, të cilët monitoronin lëvizjet e policisë dhe rivalëve të tyre.
Por mesa duket skandali nuk mbyllet me kaq. Kjo pasi e njëjta gjë shihet se ndodh edhe në vende të tjera ku rasti më i freskët është Vlora.
Policia zhvilloi sot një operacion në qytetin bregdetar dhe sipas një njoftimi bëhet me dije se janë çmontuar 16 kamera sigurie të vëna nga grupet kriminale.
Kamerat ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”, pa lejen përkatëse të organeve kompetente.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Vijon faza e tretë e planit operacional policor të koduar “Fijet”.
Plani operacional intensiv, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit.
Finalizimi i fazës së tretë të operacionit “Fijet”, rezultoi me çmontimin e 16 kamerave që kontrolloheshin nga kontigjenti kriminal, me qëllim informimin. Kamerat ishin vendosur në zona me frekuentim të lartë, në qytet.
Vijojnë hetimet në nivel qëndror dhe vendor, me qëllim identifikimin e shtetasve që i kontrollonin këto kamera, për qëllime kriminale.
Strukturat hetimore të DVP Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, në disa lagje të qytetit të Vlorës, me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë çmontuar dhe sekuestruar 16 kamera, të dyshuara të lidhura me aparate celulare të shtetasve të ndryshëm. Këto kamera ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.
Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.