Ndonëse në rend dite ishin parashikuar që të kishte 84 diskutime për një sërë çështjesh, seanca plenare e Kuvendit sot precipitoi. Pas debateve të shumta që kulmuan me përjashtimin nga Kuvendi të Kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili bashkë me demokratët e tjerë kërkuan që në rend dite të futej çështja “McGanigal”, kjo gjë u refuzua.
Ndonëse opozita bllokoi foltoren dhe fjalimi i Berishës vijoi live përmes rrjetit të ‘Facebook’, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka vijuar me procedurën e votimit të disa ligjeve brenda një harku kohor prej 10 minutash, duke marrë minimumin me 71 vota.
Nga ana tjetër, deputetet demokratë kanë vijuar të mbajnë të bllokuar foltoren, ndërsa të tjerë i binin pa pushim tavolinave në shenjë proteste. Ky veprim është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kërkuan që të vijojë diskutimi për çështjen më të nxehtë, që është arrestimi i ish-zyrtarit të lartë të FBI-së.