Aksidenti, me pasojë vdekjen e një 20-vjeçari, i ndodhur disa ditë më parë në Elbasan është zbardhur ditën e sotme. Fillimisht nuk ishin të qarta shkaqet e vdekjes së të riut, por pas hetimeve të policisë, u gjet se ai ishte aksidentuar për vdekje nga një automjet. I riu që ndërroi jetë, po ecte në këmbë në unazën e qytetit të Elbasanit, kur 65-vjeçari me inicialet A.D. e goditi me makinën tip ‘Benz’ që po drejtonte. Ai u largua nga vendi i ngjarjes, dhe arrestimi i tij u bë i mundur vetëm 4 ditë pas aksidentit. Ndaj 65-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Zbardhet aksidenti rrugor me pasojë vdekjen e një 20-vjeçari, i ndodhur më datë 23.01.2023, në unazën e qytetit.
Aksidentoi me pasojë vdekjen 20-vjeçarin dhe u largua nga vendi i aksidentit, pas hetimeve të thelluara dhe punës profesionale nga shërbimet e Policisë Rrugore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i autorit.
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si rezultat i një pune intensive hetimore dhe profesionale, bënë të mundur zbardhjen e aksidentit rrugor, me pasojë vdekjen, të ndodhur më datë 23.01.2023.
Si rezultat, nga shërbimet e Policisë u bë identifikimi, lokalizimi dhe ndalimi i drejtuesit të automjetit, shtetasit A. D., 65 vjeç, banues Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, mbrëmjen e datës 23.01.2023, në unazën e qytetit, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka aksidentuar me pasojë vdekjen, shtetasin F. S., 20 vjeç, banues në Elbasan, i cili po lëvizte me këmbë. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Në vijim të veprimeve, automjeti tip “Benz” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.