Autorë të 8 vjedhjeve/ Arrestohet 16-vjeçari në Vlorë, në kërkim bashkëpunëtori

Policia e Vlorës ka zbardhur 8 vjedhje të kryera në këtë qytet, autorë të të cilave ishin dy adoleshentë, përkatësisht 16 dhe 18 vjeç. Ata kanë marrë para, pajisje elektroshtëpiake apo bizhuteri në disa dyqane dhe banesa në Vlorë. Blutë kanë bërë të mundur arrestimin e 16-vjeçarit dhe kanë shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij. Shtetasi i arrestuar me inicialet K.B. ka thyer gjithashtu masën e sigurisë “Arrest shtëpie” të cilën e kishte marrë për kryerjen e të njëjtës vepër penale. Ndaj tij rëndojnë akuzat e “Vjedhjes” dhe “Largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Sakaq, policia ka nisur punën për kapjen e 18-vjeçarit me inicialet S.V.

Njoftimi i Policisë:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të përsëritur në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Storm 2”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vlorë. 

Zbardhen dhe dokumentohen 8 raste të tjera të vjedhjes.

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”, dhe kreu të njëjtën vepër penale, vihet në pranga. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Storm 2”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi: 

– K. B., 16 vjeç, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”.  

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi S. V., 18 vjeç, banues në fshatin Lapardha, Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të disa ngjarjeve në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, konkretisht:   

1.Më datë 08.12.2022, në lagjen “1 Maji”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit L. A., 2 biçikleta, me vlerë 2.400 euro;

2. Më datë 20.01.2023, në lagjen “24 Maji”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit M. Sh., pajisje elektroshtëpiake;

  1. Më datë 20.01.2023, në lagjen “Bashkimi”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit R. H., pajisje elektroshtëpiake;
  2. Më datë 06.01.2023, në lagjen “24 Maji”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetases F. F., pajisje elektroshtëpiake dhe një shumë parash;
  3. Më datë 13.01.2023, në lagjen “24 Maji”, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit A. T., disa produkte ushqimore;
  4. Po më datë 13.01.2023, në lagjen “24 Maji”, dyshohet se kanë vjedhur banesën e shtetasit A. R., disa bizhuteri dhe një shumë parash;
  5. Më datë 26.01.2023, në lagjen “Lef Sallata”, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin një dyqan;
  6. Po më datë 26.01.2023, në lagjen “10 Korriku”, dyshohet se kanë vjedhur në tabakinon në posedim të shtetasit D. L, një shumë parash.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas, si dhe për kapjen e shtetasit S. V. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

 


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *