Pas skandalit McGoniga, Rama “nxjerr kokën” për Kadarenë

Qarkullojnë zëra se Kryeministri Edi Ramës është strukur në vilën e tij në Surrel pas skandalit dhe arrestimit të mikut të tij, ish zyrtarë i lartë i FBI McGonigal, i arrestuar në SHBA.

Ditën e djeshme, ai anuloi pjesëmarrjen në eventin e vitit të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku u shpallën sportistët më të mirë. Gjithashtu kryeministri i Shqipërisë, sipas burimeve të Alfapress.al, gjatë gjithë kësaj jave ka shmangur mediet më të mëdha në SHBA dhe në botë, të cilat i kërkojnë të prononcohet për implikimin e tij me ish drejtuesin e divizionit të kundërzbulimit të FBI për distriktin e Nju Jork, i cili akuzohet jo vetëm si i implikuar me rusët por edhe për afera sekrete kundër opozitës shqiptare dhe Lulzim Bashës, me kryeministrin e Shqipërisë.

Por këtë të shtunë ai “është bërë i gjallë” me një urim për ditëlindjen e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare. Por ajo që bie në sy është se ky dedikim është ai që kryeministria shkruar për të njëjtin rast dy vite më parë në vitin 2021.

Urimi i Edi Ramës për Ismail Kadarenë:

“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtoj urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

“Mendimin tuaj,
që ëndërron në trurin e butë,
si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,
do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;
gjersa të ngopem, idhnak e brutal.”, shkruan kryeministri Edi Rama.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *