Përplasi të miturën me motor dhe u largua nga vendngjarja, arrestohet autori

Një 35-vjeçar është vënë në pranga pasi akuzohet se ka aksidentuar një vajzë 9-vjeçare me motor dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Tiranë, në rrugën ‘Demokracia’.

Uniformat blu bëjnë me dije se i riu është identifikuar dhe arrestuar brenda pak orëve, ndërkohë që janë publikuar dhe pamjet e rënda nga aksidenti. Aty shihet momenti kur kalimtarët rrethojnë të voglën e shtrirë pas përplasjes nga motori.

Njoftimi i policisë:

Aksidentoi një të mitur dhe u largua nga vendi i ngjarjes, Policia Rrugore e Tiranës, identifikon dhe vë në pranga autorin. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit G. M., 35 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” pasi në rrugën “Demokracia”, ka aksidentuar një të mitur 9-vjeçare, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. 9-vjeçarja ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, pas marrjes së njoftimit, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Pas disa orësh pune intensive hetimore profesionale bënë të mundur identifikimin e targës së motomjetit dhe më pas të drejtuesit të tij. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua motomjeti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *