Nëse ke bërë një gabim në jetë, që ke aplikuar për një kredi konsumatorë pranë “Fondit Besa”, ke bërë edhe të dytin nëse nuk ke parë mirë se çfarë ke firmosur…
Kjo gjë u ka ndodhur tashmë mijëra klientëve të “Fondit Besa” që kredinë e marrë jo vetëm që e kanë paguar nga dy herë, por ende rrezikojnë të zhvaten prej këtij institucioni.
Gjatë këtyre ditëve ka nisur një operacion i ethshëm i “Fondit Besa” për të grumbulluar sa më shumë para nga këstet e kredimarrësve të këqij, apo qoftë edhe asete të lëna si garanci, apo dhe prona e plaçka që mund të kenë një farë vlere.
Lexues të shumtë kanë shkruar këto ditë në adresën e redaksisë së “Priza.al”, sepse janë gjendur papritur përball sulmesh e presionesh nga grupet e “task-forcës” që u ka ardhur në derë të shtëpisë e dërguar nga “Fondi Besa”.
Mbledhja dhe kontaktimi i klientëve që kanë për të paguar këste kredie është një procedurë krejt normale nga ana e institucioneve financiare apo bankave, madje e parashikuar edhe me ligj.
Deri këtu “Fondi Besa” është në rregull. Por ajo që përbën një tjetër shkelje nga ana e këtij institucioni, përveç formës se si ka bartur me kredi qytetarë të painformuar dhe të mashtruar, është edhe fakti se “Fondi” ka vendosur që paratë ti mbledhë me dhunë dhe një soj si një “organizatë mafioze”.
Një prej viktimave të mashtrimit të “Fondit Besa”, i ka pohuar sot “Priza.al” se, atë dhe disa miq të tij, të cilët janë mashtruar fillimisht nga sekserët e “Fondit Besa” dhe janë bartur me kredi pa e ditur, tani kanë nisur që t’i përndjekin personat e “task-forcës”.
Ky person dhe miqtë e tij, e kanë çuar tashmë çështjen e kredimarrjes në “Fondin Besa” në gjykatë, duke ngritur një padi dhe duke pajtuar edhe një avokat. Por ndërkohë që çështja e tyre është në procedim, punonjësit e Fondit dhe përmbaruesit u janë venë pas.
Dëshmia
Prej rreth një jave, një i ri nga Tirana është vënë në qendër të gjurmimit të disa prej punonjësve të një prej degëve të “Fondit Besa”, me qëllim që ai të paraqitet dhe të nisë pagesën e kësteve të interesit dhe të principalit të një kredie konsumatore, marrë disa vite më parë.
I riu me inicialet M.P. nuk ka pranuar në asnjë moment ta ketë marrë kredinë konsumatorë në zyrat e “Fondit Besa” dhe pohon se në asnjë moment nuk ka firmosur asgjë me dorën e tij.
Por edhe ai ka rënë viktimë si shumë individë, duke shpërdoruar lëshimin e të dhënave dhe dokumenteve të tij personale te persona të tretë. Por pasi i riu është konsultuar me një avokat, ka hapur ndaj “Fondit” një çështje penale.
Çështja është në zhvillim, por ndaj tij është lëshuar ndërkohë një grup i tërë punonjësish dhe përmbaruesish, që po kërkojnë t’i përlajnë gjithçka.
“Më kanë ardhur tek puna dhe madje edhe tek shtëpia disa herë. Më kanë thënë se nëse nuk do të paguaj kredinë brenda 3 muajve, do të me sekuestrojnë gjithçka kam, deri sa të plotësohet shuma e kredisë.
Unë rezultoi si kredimarrës tek ‘Fondi Besa’ fillimisht me 3.5 milionë lekë të vjetra, që nga viti 2018. Por nuk e di se si tani pas 3 vitesh kjo kredi më ka shkuar në 7.5 milionë euro.
Për këtë kam marrë dhe avokat dhe kam bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës. Deri tani më kanë thënë se çështja ime po shqyrtohet dhe me këtë punë po merret avokati.
Oficeri i kredisë së ‘Fondit Besa’, Eros Alia
Ai që më ka kontaktuar dhe më ka ardhur në derën e shtëpisë ka qenë fillimisht oficeri i kredisë Eros Alia. Ky kishte një listë me emra dhe adresa. Kur u gjend në derën e shtëpisë time nisi menjëherë të më merrte në pyetje si të ishte i Policisë Kriminale. Më pyeti madje edhe për disa shokët e mi që kishte mbledhur informacion.
Ku banojnë ata? Ça pune bëjnë? A kanë ndonjë pronë apo biznes? Kështu më pyeti, ndërkohë që unë isha ende i çuditur se nga e gjeti shtëpinë time. Erosi më tha se kisha tre muaj afat që të shlyeja me disa këste të gjithë shumën e kredisë dhe interesat. Kur i kërkova kontratën e kredisë që të ma prezantonte ta lexoja, më tha: ça kontrate kërkon ti?! Unë po të jap shansin që të paguash e ta mbyllësh, ti më kërkon kontratë… Apo do që të vijnë ata çunat e grupit të task-forcës dhe të të marrin edhe rrobat e trupit!
Ky ishte komunikimi im me të. Por më shumë se sa propozimi që më bëri, më trembën mënyra se si mi kërkoi gjërat dhe kërcënimi se çfarë mund të më gjente nga task-forca”, – ka përfunduar dëshminë tij për “Priza.al” i riu M.P.
Vijon…
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016