Banorët e zonës së Bërxullës kanë protestuar mëngjesin e sotëm për aksin rrugor Thumanë-Kashar, ndërsa ka ndërhyrë edhe policia.
Mësohet se banorët nuk janë dakord me projektin e qeverisë për punimet e rrugës, pasi ky plan prek edhe shtëpitë e tyre.
Kjo gjë ka bërë që një numër i madh i tyre të shfaqen tejet të tensionuar edhe kundrejt policisë, duke u bërë thirrje të mos i prekin me dorë.
Mësohet se banorët e Bërxullës nuk janë kundër projektit, por duan të zhvlerësohen me çmimin e tregu dhe jo atë të koncesionarit i cili e vlerëson metrin katror me rreth 440 lekë, ndërsa sipas banorëve toka vlerësohet me rreth 50 euro për metër katror.
“ARRSH duhet të bëjë kërkesa në hipotekë se sa është vlera e pronave. Toka këtu është shitur me akt noterial, ne 2022, janë shitur 229 mijë euro, del 50 euro metri, ku e gjeti 4 euro metrin e tokës Berberi? Apo marrin rrogat kot dhe nuk bëjnë asnjë detyrë. Ne kemi ligjet tona, jemi autoktonë, nuk e falim tokën për interesat e oligarkëve, do e mbrojmë me gjak.
Kjo rrugë do bëhet me lapidar pa filluar punimet. Do bëhet si kalaja e Shkodrës. Këtu është një maskaradë, firma ka zhvilluar 70% të punimeve dhe projekti ndërrohet sa herë do kompania. Ne nuk do tërhiqemi! Do marrim masa ekstreme, të jenë të bindur. Nëse nuk ulen në negociata me ne nuk do jetë e lehtë”, u shpreh një nga banorët.
“Tokat na i kanë zaptuar, me taksat na mbyti, ky është qen, do e bëjmë tokën me gjak, do jem i pari që do sakrifikohem. Ta bëjë provë dikush të vijë në tokën time!”, u shpreh një tjetër banor.