Me një gjuhë të ashpër dhe aspak diplomatike në non-paperin e punuar nga një diplomat perëndimor është bërë e qartë se çfarë humbasin Kosova dhe Serbia nëse përpjekjet e Perëndimit për të vendosur paqe në rajon, ballafaqohen me vonesa e bllokada të qëllimshme nga Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti.
Aty shkruhet se nëse Kosova apo Serbia, dështojnë të jenë partnerë konstruktivë dhe nuk e nënshkruajnë marrëveshjen, atëherë “kjo nënkupton ndalimin e procesit të integrimit dhe një prapakthim potencial të raporteve me BE-në dhe të mirave që vijnë me të”.
Sipas këtij dokumenti, “Kosova nuk mund të aspirojë të vazhdojë ta gëzojë mbrojtjen absolute nga bota perëndimore, që është jetike për ekzistencën e vet, dhe në të njëjtën kohë të hezitojë në përqafimin e përpjekjeve perëndimore për paqe të përhershme”.
Kosova është e lirë që të mos e themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe mund të tërhiqet krejtësisht nga marrëveshja e vitit 2013, por atëherë duhet “do të perballet me pasojat e zhbërjes së të gjitha arritjeve te mëparshme (lëvizjen e lirë, Kodin telefonik të Kosovës +383, integrimin e pjesës veriore, kontrollin e dy pikave kufitare me Serbinë e të tjera)”, thuhet në dokumentin e fundit non-paper që ka siguruar Albanian Post.
Kurse, “Serbia nuk mund të aspirojë të vazhdojë të gëzojë benefitet financiare, ekonomike dhe politike të marrëveshjeve ekzistuese dhe në të njëjtën kohë të minojë përpjekjet e Perëndimit për paqe të përhershme”.
Dokumenti gjithashtu i bën të qartë Serbisë se “bixhozi me shpresa të rrejshme se dikur, në të ardhmen, NATO dhe BE-ja do kolapsojnë duke mundësuar kështu ri-pushtimin e Kosovës, është një recetë për fatkeqësi”.
Edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ka një pikë të rezervuar në këtë dokument.
Në dokument thuhet se “implementimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë (përfshirë Asociacionin) dhe propozimi aktual evropian janë dhe duhet të trajtohen si dy procese të ndara, të lehtësuara në dy rruge paralele”.
“Hapi i parë”, qartëson dokumenti, është “implementimi i të gjitha marrëveshjeve të mëhershme”, kurse “hapi i dytë” paralel është “Propozimi Evropian”.
Në këtë pjesë të dokumentit bëhet e ditur gjithashtu se do të themelohet një Mekanizëm Monitorues, i cili do të operojë sipas një seti “parimesh për të shpërblyer ose dënuar palët varësisht nga përkushtimi i tyre në implementimin e procesit”.
Në këtë non-paper theksohet se perëndimorët tashmë janë të njohur me taktikat e Vuçiç-it dhe të Kurtit për vonesa dhe zgjatje të procesit.
“Taktikat vonuese (Serbia: së pari Asociacionin, pastaj Propozimin Evropian) dhe taktikat bllokuese (Kosova: së pari garantimin e sigurt të njohjeve nga 5 vendet mos-njohëse të BE-së, pastaj Propozimin Evropian) janë të papranueshme”.
Sa i përket kërkesë së Kosovës për garanci të njohjeve nga 5-shja mos-njohëse e BE-së, konstatohet se është e pamundur të jepet një garanci e tillë e shkruar
“Për disa nga këto shtetet, pëlqimi i Serbisë për Propozimin Evropian është bazë e mjaftueshme për të ngritur marrëdhëniet me Kosovën në marrëveshje të plota diplomatike menjëherë”, thuhet në dokument në pjesën ku sqarohet pozicioni i 5-shes mos-njohëse për Kosovën.
“Nëse jo më herët, në momentin që Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare si rezultat direkt i Propozimit Evropian, këto vende do t’i bashkohen pozicionit të shteteve të tjera anëtare të BE-së (që e njohin Kosovën)”.
Në një nga faqet e dokumentit janë sqaruar gjithashtu përfitimet e Kosovës dhe Serbisë, nëse tregohen konstruktivë dhe pranojnë ta nënshkruajnë marrëveshjen, e
Për Kosovën thuhet se nëse nënshkruan dhe themelon Asociacionin në dy procese të ndara, atëherë “zhbllokon procesin e integrimit në NATO/BE dhe fillon marrjen e fondeve dhe investimeve të lidhura me procesin e integrimit”.
“Fiton ndërlidhshmëri rajonale dhe përfshirje në të gjitha programet e BE-së që do ta afektojnë ekonominë e Kosovës në mënyrë domethënëse. Do shfaqen mundësi të reja për bizneset e Kosovës dhe të rinjtë e Kosovës, duke zhvilluar potencialin e mrekullueshëm që ka Kosova”.
Por, propozimi evropian do të përbënte dokumentin e parë të njohur ndërkombëtarisht ku Serbia do ta pranonte se “Kosova dhe Serbia janë dy realitete legale/politike të ndara subjekte të parimeve të qeverisjes sipas të drejtës ndërkombëtare”.
Po ashtu, Serbia do të pranonte se “nuk mund të pretendojë të drejtën për ta përfaqësuar ose vepruar në emër të palës tjetër (Kosovës)”.
Tjetër benefit për Kosovën do ishte se vendet e BE “nuk do ta kundërshtonin anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.