Analisti Genc Burimi ka deklaruar se skandali “McGonigal” po e lë pa gjumë Edi Ramën.
Sipas tij problemi është se nëse Rama thirret në SPAK ai do duhet të japë dorëheqjen, edhe nëse është i pafajshëm për shkak të mos ushtrimit të presonit të drejtësia.
I ftuar në News24, analisti tha më tej se “McGongial” është një skandal i përmasave të mëdha, me anë të së cilit Rama ka dhënë mesazhin se çfarë është i aftë të bëjë në vend, nëse mund të arrijë te korruptimi i niveleve të tilla përtej Atlantikut. Ai shtoi se në këtë rast ose duhet të ketë një zgjidhje të skandalit ose të mos ketë zgjedhje, pasi nuk do ketë besim te institucionet, duke lënë sipas tij opozitën t’i drejtohet “të mesmes së artë” të protestave.
“Edi Rama sigurisht që nuk është i qetë, nuk fle i qetë nga zhvillimet që e rrethojnë. Populli duhet të sqarohet, pala shqiptare duhet të hetojë, është më minimalja. Problemi është se nëse thirret Rama në SPAK, ai do japë dorëheqjen që të hetohet pa ushtruar presion te drejtësia. Ai nuk kërkon të hetohet se edhe nëse është i pafajshëm duhet të dorëhiqet. Nuk ka justifikim nga drejtësia që të mos hetojë.
Kjo drejtësi nuk është e pavarur, është e kapur nga institucioni amerikan që e ka vendosur, drejtësia ka si kumbarë politikën amerikane që vetë është e diskutueshme, siç e pamë me rastin e McGonigal. Nëse politika amerikane ka interes që drejtësia të mos hapë hetim, nuk hapet hetim. Yuri Kim sot në mënyrë të habitshme është bërë aq e heshtur sa Rama. Ose Kim respekton institucionet dhe nuk flet për një aferë nën hetim, ose është se vetë ambasada mund të jetë në hetim. Kjo ambasadë nëse kujtohemi që e heshtur në aferën e patronazhistëve, nuk tha asgjë për të. Sidoqoftë drejtësia është e kapur, kur të ketë nesër rotacion politik do kemi një drejtësi të trashëguar të kapur. Sot duhet të jemi të shqetësuar nga heshtja e drejtësisë që u shit si drejtësi e re dhe që do bënte namin”, tha Burimi.