India bëhet këtë vit vendi me popullsinë më të madhe në botë

Një foshnje e lindur këtë vit do të ketë mundësinë ta shohë Indinë në krye të vendeve me popullsinë më të madhe në botë. Disa ekspertë thonë se kjo mund të ketë ndodhur tashmë pasi Kina raportoi ditë më parë se numri i popullsisë së saj është pakësuar.

Zëri i Amerikës bisedoi me Drejtoreshën Ekzekutive të Fondacionit të Popullsisë së Indisë, Poonam Muttreja.

“Nuk është e papritur. E dinim që do ta tejkalojmë popullsinë e Kinës në vitin 2027. Por për shkak të përshpejtimit të rënies së popullsisë së Kinës, kjo ndodhi më herët”.

Sikurse Kina, edhe India ka një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh. Por tejkalimi nga India nuk është vetëm një shifër, por një ndryshim tejet i rëndësishëm demografik.

Në dallim nga popullsia e Kinës në rënie dhe që po plaket, gati gjysma e Indisë është nën moshën 25 vjeç. Kjo grupmoshë përbën një treg të madh që mund të tërheqë investime globale, nga ku mund të dalin një numër i madh talentesh, në një kohë kur popullsitë e shumë vendeve të botës po plaken.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës S.Y. Quraishi, ish-komisioner zgjedhor dhe autor i librit ‘Miti i Popullsisë’, thotë se India është treg gjigand.

“Jemi një treg i madh nga ana e konsumit dhe furnizuesit më të mëdhenj të fuqisë punëtore të trajnuar”.

Por shifrat gjithashtu janë problematike, pasi popullsia e Indisë në moshë pune pritet të arrijë 1 miliard deri në vitin 2030. Një shqetësim ky edhe për të rinjtë në një vend që përballet me shifra të larta papunësie. /VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *