Dy shtetas kanë rënë në prangat e policisë së Bulqizës pasi në makinën me të cilën po udhëtonin u gjetën disa doza lëndë narkotike e dyshuar tip kanabis, gati për shitje. Personi i tretë që po udhëtonte me ta, shtetasi me inicialet A.S. ka arritur të largohet, pasi policia u ka kërkuar të rinjve të ndalojnë për kryerjen e kontrollit.
23-vjeçari me inicialet E.D. dhe shtetasi tjetër me inicialet A.L. 24 vjeç janë të arrestuarit nga shërbimet e policisë.
Njoftimi i policisë:
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Arrestohen në flagrancë dy shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër. Sekuestrohen një sasi dozash canabis sativa, gati për shitje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan punën dhe si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-E.D., 23 vjeç; A.L., 24 vjeç, banues në Bulqizë si dhe u shpall në kërkim shtetasi A.S.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me të cilët udhëtonin shtetasit e lartëpërmendur, dhe shtetasi A.S., ka arritur të zbresë dhe tu largohet kontrollit të shërbimeve të policisë.
Po gjatë kontrollit në automjet u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa e ndarë në doza gati për shitje. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit e lartëpërmendur në bashkëpunim me njëri tjetrin shpërndanin lëndë narkotike në disa zona të qytetit të Bulqizës. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.