Filmi biografik për Michael Jackson po merr formë dhe roli kryesor i është besuar nipit të mbretit të popit Jaafar Jackson. 27-vjeçari ka kënduar dhe kërcyer që në moshën 12-vjeçare dhe është djali i Jermaine Jackson, vëllait të Michael. Filmi, i cili do të titullohet thjesht “Michael”, do të drejtohet nga Antoine Fuqua, regjisori i filmave të suksesshëm si “The Equalizer – The Avenger” (2014), “Training Day” (2001) dhe “Emancipation”.
“Për mua nuk ka asnjë artist me fuqinë, karizmin dhe shkëlqimin e plotë muzikor të Michael Jackson. U ndikova për të bërë video muzikore duke parë veprat e tij. Muzika dhe ato imazhe janë pjesë e pikëpamjes sime për botën dhe mundësia për të treguar historinë dhe muzikën e tij në ekran ishte i parezistueshme”, tha regjisori Antoine Fuqua.
Skenari iu besua John Logan, autor ndër të tjera i “Skyfall” (2012) dhe “Gladiatori” (2000). Filmi do të përshkruajë të gjitha aspektet e Mbretit të Pop-it, i cili ndërroi jetë në vitin 2009 dhe vjen pas suksesit në Broadway të hitit muzikor ‘MJ’.
Michael Jackson është një nga artistët më të shitur të të gjitha kohërave, me 400 milionë disqe të blera në mbarë botën.
Për akuzat për abuzim seksual të fëmijëve që shënuan 16 vitet e fundit të jetës së tij, Jackson doli në gjyq dhe u shpall i pafajshëm për të paktën një nga ato akuza në 2005. Filmi biografik për Michael Jackson vjen pas atyre të “Elvis” mbi Elvis Presley-n dhe “Whitney” për Whitney Houston.