Promovuesit e Superligës Evropiane, A22 kanë fituar apelin e tyre në gjykatën spanjolle të Madridit që mbron klubet që janë të përfshira në të nga ndëshkimi prej UEFA-s ose FIFA-s. Ky zhvillim i ri u raportua nga mediat botërore, që zbulojnë detaje në lidhje me disa nga dokumentet gjyqësore nga kjo çështje. Këto dokumente flasin për mënyrën se si FIFA dhe UEFA kanë përdorur fuqitë e tyre disiplinore për të krijuar një monopol në çdo garë të pavarur të futbollit profesionist.
“Problemi qëndron në faktin se rreziku i përdorimit arbitrar nga FIFA dhe UEFA i fuqisë së tyre disiplinore nuk është i kufizuar në pasojat e efekteve të saj brenda garave që ata menaxhojnë, por mund të përdoret gjithashtu për të dekurajuar operatorët e tregut të tunduar për të hyrë në garë. Iniciativa e sipërmarrësit që dëshiron të hyjë në garë sulmohet nga monopolisti që nuk e do dhe përdor pushtetin për të penguar. Arsyetimi i mundshëm i sjelljes së FIFA-s dhe UEFA-s si një përpjekje për të mbrojtur modelin sportiv evropian është një justifikim i dobët”, thuhet më tej.
Turneu u krijua për të ofruar një ligë të re futbolli, e cila do të ishte më e frytshme financiarisht për klubet. Anëtarët themelues të kompeticionit ishin klubet më të rëndësishme Europiane, si Manchester United, Liverpool, Manchester City, Chelsea, Tottenham, Arsenal, Milani, Interi, Atletico Madrid, Real Madrid, Barcelona dhe Juventus.
Por, nga këto 12 klube, nëntë u larguan nga Superliga, me projektin që zgjati vetëm 48 orë pasi u lansua në vitin 2021. Por, Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi mbetën ende të përkushtuar ndaj projektit dhe deri më tani po fitojnë hapësira kundrejt UEFA-s e FIFA-s.