Ditën e sotme ka hyrë në fuqi harta e re gjyqësore dhe kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami ka sqaruar qytetarët se të gjitha çështjet që e kanë filluar gjykimin në gjykatat e apelit në rrethe do e vazhdojnë gjykimin atje. Sipas Llagamit janë 1868 çështje që vazhdojnë gjykimin në rrethe.
“Sipas llogaritjeve, çdo gjyqtar i kësaj gjykate do të ketë rreth 1080 çështje. Pra, çdo gjyqtar këtu ka më pak çështje se sa ka një gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë që ka shkuar në 1500 çështje. Që do të thotë që puna që ne do bëjmë këtu dhe mbështetja që do të kemi këtu padyshim që do ketë një impakt të madh në uljen e dosjeve dhe dhënien e shërbimeve për qytetarët” – tha Llagami.
Llagami theksoi se qytetarët do i bëjnë kërkesat në vendet ku kanë qenë gjykatat e Apelit dhe se atje do ti marrin të gjitha informacionet që lidhen për çështjen e tyre gjyqësore. Sipas saj programimi i çështjeve do e bëjë të mundur që qytetari të ketë mundësi që të vijë në Gjykatën e Tiranës.
“Duke pasur një trupë të plotë siç është tashmë Gjykata e Apelit të Përgjithshëm, e cila do lejojë mundësinë që të krijohen dy seksione në këtë gjykatë, seksionin civil dhe seksionin penal, padyshim që qytetari nuk do ketë më dështim të seancave siç ndodhte më parë” – tha Llagami.
Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami ka folur për shkrirjen e Gjykatave të Apelit. Nga KLGJ, Llagami tha se hartimi i hartës së re gjyqësore nuk ishte i lehtë, por një proces që u mori tre vite dhe se qëllimi kryesor është rritja e shërbimit të cilësisë. Llagami u shpreh se me hartën e re gjyqësore synohet shërbim më i mirë për qytetarët me gjykata më të mëdha, të profilizuara me gjyqatarë të mirë që do ndikojë tek cilësia e vendimmarrjes që do ketë impakt tek publiku.