Ka marrë tjetër rrjedhë gjyqi për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.
Sot në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan janë marrë në pyetje disa dëshmitarë, të cilët kanë treguar se në fakt ka pasur disa perona të armatosur.
Mehmet Greca ka pohuar se mjeku Xhuvani, përpara se të vritej, është bllokuar nga 2 persona që nën bluzë kishin armë që dukeshin si pistoleta. Ky fakt është konfirmuar nga dëshmitari duke ju përgjigjur si pyetjeve specifike të avokates Rezarta Tahiraj, që përfaqëson familjarët e viktimës.
Dëshmia e Mehmet Grecës është vlerësuar nga avokatja Tahiraj si shumë e rëndësishme sepse kontribuon në dhënien e një shpjegimi të qartë dhe llogjik që në atë ditë të vrasjes ka qëlluar jo vetëm vrasësi por edhe dy persona të tjerë. Ajo ngre dyshime se ata kanë qenë pjesë e strukturës të ngritur nga PD për mbrojtjen e votës.
“Dëshmia kontribuon në dhënien e një shpjegimi të qartë e logjik se në atë ditë të vrasjes ka qëlluar jo vetëm vrasësi por edhe dy persona të tjerë që gjithsesi duken që i përkasin strukturës paramilitare të mbrojtjes së votës ose bashkëpunëtorëve të tyre eventualë të jashtëm. Deklaratat e Mehmet Grecës përgënjeshtruan se vrasja ishte një reagim për ofendimet e marra nga mjeku Xhuvani. Mehmet Greca në fakt pohoi se viktima është vrarë pa ofenduar vrasësin dhe madje as personat e tjerë”, tha Rezarta Tahiri.
Avokatja Tahiraj evidenton se dëshmia e Mehmet Grecës ishte e dobishme edhe për të përgënjeshtruar se vrasja ishte një reagim për ofendimet e marra nga mjeku Xhuvani. Mehmet Greca në fakt pohoi se viktima është vrarë pa ofenduar vrasësin dhe madje as personat e tjerë.
Gjatë seancës dëshmoi edhe Paolo Tupi, pronari i një servisi pranë vendit të vrasjes së Pjerin Xhuvanit. Ai tha se ishte kërcënuar nga Arbër Paplekaj për t’i dhënë një automjet, me të cilin donte të largohej pasi kreu krimin.
“Dëshmitari tjetër deklaroi se për t’u arratisur larg nga Elbasani vrasësi e ka kërcënuar ta vrasë me një armë nëse nuk do t’i kishte dorëzuar një automjet që e përdori më pas. Ky episode, shpjeguar në detaje nga dëshmitari që pësoi rrëmbimin e automjetit tregon përsëritjen e metodës dhe të veprimeve kërcënuese të vrasësit, gjithmonë me një armë në dorë dhe me kërcënimin për ta përdorur atë për të vrarë”, tha Tahiri.