Nga: Klea Balliu
Rritja e çmimeve erdhi e menjëhershme tek të gjitha produktet duke nisur që nga: karburantet, energjia, lënda drusore e deri tek produktet e shportës ushqimore si: mielli, vaji i lulediellit, sheqeri, orizi, kafeja etj.
Si pasojë e rritjes së çmimit të lëndëve të para, dy vitet e fundit ka pasur rritje edhe në produktet e bar restoranteve. Pas rritjes së çmimit të kafesë me 10 deri në 20 lekë, së fundmi, “Shoqata e Bareve dhe Restoranteve”, ka paralajmëruar se nga muaji mars do të ketë rritje të fortë të çmimeve, për shkak të kostove të larta nga rritja e pagave dhe shtrenjtimi i çmimeve të importit të kafes apo çajrave.
Gjatë një interviste për Priza.al, përfaqësuesi i “Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve” Enri Jahaj, tregon se shkaku i rritjes së çmimeve është shtimi në mënyrë të pandërprerë të lëndës së parë, shpenzimeve drita, ujë dhe kostoja e lartë e rrogave të personelit.
I pyetur nëse do ta zgjidhte problemin e mungesës së punonjësve rritja e pagave, Jahaj shprehet se të paktën shtimi i të ardhurave për punonjësit do të ndikonte pozivitisht. Por, a mundet ta përballojnë bizneset pagat e larta? Përfaqësuesi i “Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve” tregon se me këtë ritëm biznesi do të shkojë drejt kolapsit.
“Në stadin aktual, bizneset nuk mund ta përballojë dot rritjen e pagave pasi janë drejt kolapsit. Sektori duhet të ishte auto formatuar vetë shumë kohë më parë por duke qenë se janë bërë investime të ndryshme thjesht është shtyrë. Le të themi që po ecet në fije të perit. Tregu do vetë rregullohet”,– u shpreh ai.
Mungesa e fuqisë punëtore solli rritje pagash në sektorin e bareve dhe restoranteve por kjo ndikon tek qytetarët sepse ka një efekt zinxhir tek rritja e çmimeve të kafes, çajit dhe produkteve të tjera të bareve dhe restoranteve. Këtë e pohon edhe Enri Jahaj i cili tregon se:
“Zinxhiri do të jetë; rritje e pagave – rritje e çmimeve”,- tha Enri.
Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, në vend janë gjithsej 17 mijë bare, nga 23 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës. Gjithashtu, në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.
Përfaqësuesi i “Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve” tha se ka pasur një numër të lartë të mbylljes së bizneseve por njëkohësisht nuk ka pasur numër të lartë të bizneseve të reja në këtë sektor.
“Mbyllja e këtyre bizneseve ka qenë e lartë por nuk është vënë re se ka shumë njerëz që duan të hapin një bar restorant”,- shprehet Jahaj.
Krizën e fuqisë punëtore sektori e vuajti edhe periudhën e verës, ku shumë bare dhe restorante të zonave bregdetare u detyruar të punësojnë punonjës nga vendet e rajonit si Mali i Zi, Kosova apo Maqedonia e Veriut etj. Por cila është alternativa e bizneseve në rastet kur mungon fuqia punëtore?
Sipas Jahaj, alternativa e bizneseve është të sjellin punonjës dhe klientë nga jashtë. Por në fakt, këta punonjës e shohin vendin tonë si mënyra më e thjeshtë për t’u larguar në vendet fqinje.
“Zakonisht vijnë nga vendet në zhvillim e sipër, kryesisht: Azia, Filipinet, së fundmi kanë filluar të vijnë Egjipti. Në fakt në na shohin si vend tranzit që do të thotë vijnë këtu dhe më pas shkojnë në Greqi, Itali, Mal të Zi. Edhe kjo është problem për ne sepse ky quhet një investim pasi për të marrë një punëtor të tillë duhet të paguash përveç agjensisë por edhe kontratat e punës që kanë ata”,– përfundon përfaqësuesi i “Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve”.
Intervista e plotë:
Shoqata e bareve dhe Restoranteve ka paralajmëruar se në muajin mars pritet rritje e fortë çmimesh në bare dhe restorante.
- Cili është shkaku?
Shkaku i rritjes së çmimeve është rritja në mënyrë të pandërprerë të lëndës së parë, e shpenzimeve drita ujë etj dhe e rrogave të personelit.
- Ku qëndron problemi? Tek konkurrenca e lartë e bizneseve apo tek mungesa e punonjësve?
Ka një konkurrencë të lartë dhe jo të ndershme hera herës por nuk besoj të jetë ky shkaku kryesor.
3. A do e zgjidhte problemin rritja e pagës së punonjësve?
Rritja e pagës së punonjësve do të zgjidhte problemin me të punësuarit të paktën.
4. A mundet ta përballojnë bizneset këtë rritje pagash?
Në stadin aktual që është bizneset nuk mund ta përballojë dot rritjen e pagave pasi janë drejt kolapsit. Sektori duhet të ishte auto formatuar vetë shumë kohë më parë por duke qenë se janë bërë investime të ndryshme thjesht është shtyrë. Le të themi që po ecet në fije të perit. Tregu do vetë rregullohet.
5. A do të ketë një efekt zinxhir tek rritja e çmimeve të kafes, çajit dhe produkteve të tjera të bareve dhe restoranteve?
Patjetër. Zinxhiri do të jetë; rritje e pagave – rritje e çmimeve.
6. Si është raporti i mbylljeve të këtyre bizneseve në 3 vitet e fundit?
Mbyllja e këtyre bizneseve ka qenë e lartë por nuk është vënë re se ka shumë njerëz që duan të hapin një bar restorant.
7. Cila është alternativa e bizneseve në rastet kur mungon fuqia punëtore?
Alternativa e bizneseve është të sjellim punonjës dhe klientë nga jashtë. Zakonisht vijnë nga vendet në zhvillim e sipër, kryesisht: Azia, Filipinet, së fundmi kanë filluar të vijnë Egjipti.
Në fakt në na shohin si vend tranzit që do të thotë vijnë këtu dhe më pas shkojnë në Greqi, Itali, Mal të Zi. Edhe kjo është problem për ne sepse ky quhet një investim pasi për të marrë një punëtor të tillë duhet të paguash përveç agjensisë por edhe kontratat e punës që kanë ata./Priza.al
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*