Kreu i PD, Sali Berisha ka mbledhur sot pasdite në takim krerët e degëve të Partisë Demokratike në të gjithë vendin.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se që prej vitit 2017, ka punuar fshehtazi për të shkatërruar Partinë Demokratike dhe opozitën në Shqipëri.
Sipas tij, çështja “McGonigal”, është skandali më i rëndë për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane që prej kohës së Enver Hoxhës kur diktatori ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në.
“Mblidhemi sot në një moment shumë të veçantë. Në një moment kur para gjithë shqiptarëve, është bërë përfundimisht e qartë se Edi Rama, të cilin ne me të drejtë, me fakte dhe argumente, e kemi shpallur prej kohësh një armik të lirisë, armik të votës, armik të qenies sonë, faktohet se nga viti 2017 deri më sot, ky demon pushteti, njeri pa asnjë princip dhe vlerë morale, pa asnjë normë e standard, ka punuar fshehtas dhe haptaz për shkatërrimin e Partisë Demokratike dhe opozitës në Shqipëri.
Ka mobilizuar fonde, ka blerë dhe korruptuar, për faqen e zezë të tij, individë ndër më të fuqishmit në tokë në fushën e sigurisë. Siç është rasti i ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal. Vendi që udhëheq NATO-n dhe është përgjegjës për botën e lirë, del jashtë çdo lloj imagjinomi që të bëhet nga një fuqi tjetër përveçse armiqve të SHBA-së dhe NATO-s. E vërteta është se midis rekrutimit me korrupsion që Edi Rama i ka bërë McGonigal, përdorimit të tij kundër opozitës, vendosjes së monizmit në Shqipëri, investimeve të mëdha të Deripaskës në Tiranë, ka një lidhje të pazgjidhshme.
Ajo ç’ka si forcë politike pro perëndimore, na bie si detyrë largimi i menjëhershëm nga pushteti i këtij njeriu, që me abuzimin e tij, në thikën pas shpine që u futi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, më të keqen që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nga Enver Hoxha, është një barrë e rëndë për çdo shqiptar në këtë vend. Është një barrë e rëndë morale dhe jo vetëm morale”, u shpreh Berisha.