Kreu i PD, Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama po përpiqet të përjashtojë Partinë Demokratike, duke mbajtur peng vulën në gjykatë.
Gjatë mbledhjes me krerët e degëve të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh i bindur se askush nuk mund ta ndalojë atë që të hyjë në zgjedhjet e 14 majit me logon e Partisë Demokratike.
“Ka një përpjekje tjetër nga Edi Rama për të përjashtuar PD-në nga zgjedhjet. Kësaj përpjekje do i përgjigjemi me revoltë të përgjithshme. Çdo anëtar i PD-së duhet ta ketë të qartë se gjykata e këtij vendi, në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, ka vendosur legjitimitetin e 11 dhjetorit 2021. Në çdo vend të botës, ky vendim ka vetëm një vlerë për regjistrimin në regjistrin e partive politike dhe shoqatave. Ky vendim shërben vetëm për kaq. Edi Rama urdhëron që të mos regjistrohet nga kancelari, vendimi i gjykatës. Dhe në kundërshtim flagrant në çdo anë, shpall palë AliBashën. PD do futet në zgjedhje dhe do futet vetëm me vulën, logon dhe flamurin e saj. Absolutisht nuk do lejojmë njeri të na përjashtojë nga zgjedhjet. Ndaj do organizojmë revoltën paqësore që ka njohur Shqipëria. Dhe zgjedhjet do i fitojë PD-ja. Edi Rama është i pashpresë”, tha Berisha.