Në një intervistë në emisionin Real Story, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar bum-in e ndërtimit dhe çmimet e larta të apartamenteve në Tiranë.
Sipas tij, në Tiranë shtohen mesatarisht 20-25 mijë banorë në vit duke krijuar nevojën për të paktën 8 mijë apartamente të reja. Ai shtoi se është detyrë e kryetarit të bashkisë të sigurohet që kjo kërkesë të ketë ofertën e vet.“Në Tiranë vijnë 20-25 mijë veta në vit. Nëse mesatarja e një familje është tre veta, i bie që Tirana ka nevojë për 8 mijë apartamente në vit. Detyra e kryetarit të bashkisë është sigurohet që kjo kërkesë të ketë ofertën e vet.
Nëse për 8 mijë apartamente që kërkohen, Tirana do kishte vetëm 1 mijë, atëherë do kishte betejë 8 me 1 se kush do e marrë apartament ose do e merrte më i pasuri. Dhe 7 të tjerët nuk do vinin fare në Tiranë ose do fillonin të ndërtonin pa leje” – u shpreh Veliaj.
Ai tha se 15-25% e apartamenteve të reja blihen nga të huajt që vijnë në Tiranë, duke përmendur edhe shtetasit ukrainas që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Një tjetër kategori që ka kërkesë për të blerë apartamente në Tiranë, sipas Veliaj, janë emigrantët shqiptarë që përbëjnë ¼ të shitjes së banesave të reja.
“Nga 8 mijë apartamente, 2 mijë apartamente, diku te 15-25% blihen nga të huaj. Kemi 1800 ukrainas sot në Tiranë. Jo të gjithë kanë ikur me leckat e trupit nga ajo situatë e vështirë. Pjesa më e madhe kanë transferuar para, bizneset e tyre, kanë ardhur këtu me familjet e tyre, i kanë regjistruar nëpër shkolla, kanë blerë apartamente.
¼ është ose shqiptarë që vijnë nga Italia, Greqia, Australia, Gjermania, Kanadaja, që vijnë këtu dhe nuk i marrin nga sistemi ynë bankar kreditë. Pra ai i merr nga banka e vet në Itali ose Angli. Ose nga kursimet poshtë dyshekut”, deklaroi Veliaj.