Veliaj inspekton punimet në shkollën “Bedri Llagami” në Vaqarr: Zaptimi i hapësirave publike ka marrë fund

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet për ndërtimin e shkollës së re “Bedri Llagami” në Vaqarr, e cila do të mirëpresë 600 nxënës me kushte më të mira për ta. Gjatë inspektimit, Veliaj tha se në zonën e Vaqarrit po investohet çdo ditë e më shumë.

“Sot është një ditë shumë e mirë për Vaqarrin! Jemi në fund të punës për shkollën e re “Bedri Lllagami” – një shkollë e bashkuar me parashkollorin, 9-vjeçaren dhe shkollën e mesme – me të cilën zgjidhim përfundimisht hallin e komunitetit. Fillimisht strehuam njerëzit e prekur nga tërmeti, tani po ndërtojmë shkollën, dhe hapi i tretë janë institucionet vendore”, tha Veliaj.

Ai kishte një thirrje për këdo që zapton hapësirat publike. “Të zaptosh oborrin e shkollës ku mblidhen fëmijët është turp. Por, si çdo punë tjetër e bashkisë, ku jemi mësuar me bllokime e gjyqe nga politika, edhe këtu kemi pasur vonesa. Është mëkat që nuk e përfundojmë dot ende hyrjen e shkollës sepse jemi në gjyq me dikë që ka ndërtuar lokal brenda territorit të shkollës. Ky nuk është një vend pa zot! Tani që shkolla bëhet e re, nuk mund të kthehemi te zakonet e vjetra”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës është e vendosur t’i shkojë deri në fund fenomenit të zaptimit të hapësirave publike, duke risjellë në vëmendje rastin e konvikteve në Qytetin Studenti.

“Jam i vendosur ta luftoj këtë fenomen deri në fund, edhe te konviktet e Qytetit Studenti. Vërtet po mbarojnë godinat e reja aty, por nuk do ketë më rikthim të atyre që i zaptuan konviktet. Kuptohet, kanë qenë vitet e vështira në ’90, por për sa kohë ke nevojë, bashkia të jep bonus qiraje dhe gjen një shtëpi tjetër pa zaptuar konviktin. Nëse 99.99% e Tiranës ja del me mënyra ligjore të ecin përpara në jetë, me punë dhe ndershmëri, atëherë edhe 0.01% që zapton konvikte ose shkollat, do të duhet të na mirëkuptojnë dhe do të duhet të sillet si shumica. Ky qytet nuk do të bllokohet nga një pakicë e vogël”, theksoi ai.

Në fund, Veliaj ftoi banorët që të regjistrojnë fëmijët në shkollat pranë banesave të tyre për të shmangur mbingarkesën dhe mësimin me dy turne.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *