Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi të zhvilluar sot me krerët e degëve Tiranë, u shpreh se deputetët e PD nuk do ta lëshojnë Parlamentin dhe se do vijojnë t’i kërkojnë llogari qeverisë.
“Unë aty në Parlament i them se s’ke parë gjë akoma, nuk e lëshojmë ne Parlamentin, është i qytetarëve dhe jo i horrave, vrasësve. Do qëndrojmë dhe me një rezistencë më të fuqishme. Pse e bëjmë? Sepse Parlamenti me ligj është për t’i dhënë mundësi opozitës të kontrollojë qeverinë, dhe jo për ta asgjësuar siç do ai me Lindën e tij”, tha kreu i PD.
“Ajo rregullore është kushtetuta e parlamentit. Ky është parlamenti sot. Kërkojmë të krijojmë komision për hetimin e 137 fluturimeve të tij me charter. A e dini ju që zotëria ka marrë pjesë në vetëm 19 mbledhje të qeverisë nga 48 të tilla. Nuk ka tallje më cinike se kjo. Ai as nuk shkon në mbledhjet e këshillit të ministrave. merret me vjedhje. Qeveria e Ballukut. tani kemi qeverinë e saj. Ballukun e merrni me mend vetë se çfarë është. Ky nuk merr parasysh asgjë. Detyra e kryeministrit është pjesëmarrja në mbledhje, por nuk ka rëndësi është shteti i tij, jo shteti i ligjit. Mbrëmë deklaronte se nuk shkon në parlament për tu ballafaquar.
Le të mos vijë por ne nuk e lëshojmë pa bërë publike çdo gjë që kjo qeveri u bën qytetarëve shqiptarë. Vinte aty me gjuhën e një halabaku ordiner, çdo dalje vetëm sharje bënte. Për të thënë se ky njeri ka pasur apo jo familje apo është rritur vetëm në rrugë. Pse të vijë ai? Ai është shteti, parlamenti është hiç. Nuk lejoj komision për Rama-gate. SHBA ka krijuar një komision ndër më seriozët, dhe ne do e krijojmë dhe do japim kontributin tonë në këtë hetim. Mos harroni janë 2 dosje, e Nju Jorkut dhe e Tiranës”, deklaroi Berisha.
Kujtojmë se në seancën e një jave më parë, Berisha dhe katër deputetë të tjerë të opozitës u përjashtuan për 10 ditë nga Parlamenti. Ndërkohë që edhe seanca e një ditë më parë është shoqëruar me tensione dhe debate, ku deputetë e opozitës kanë kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për çështjen e Charles McGonigal, por kreu i ekzekutivit nuk ishte prezent.