Kriza e mungesës së fuqisë punëtorëve ka prekur baret dhe restorantet. Aldo, prej vitesh merret me menaxhimin e ketyrë aktiviteteve. Por kohët e fundit, për të gjetur kamarierë, banakierë apo dhe sanitare, është kthyer në sfidë.
“Duke ardhur dhe duke rënë kërkesa për kamarier, banakierë apo dhe pozicione të tilla të punë. Ne tani kemi vende vakante dhe aktualisht dhe kërkesat janë shumë të ulta”, u shpreh ai.
Aktualisht, në sektorin e bareve dhe restoranteve, janë rreth 15 mijë vende të lira pune. Sipërmarrësit thonë se shkaku kryesor është largimi i popullatës në emigracion. Rritja e çmimeve është një tjetër faktor.
“Kërkojnë rroga shumë të larta dhe nuk kanë aftësinë e duhur për atë pagë që kërkojnë. Vijnë, punojnë 2-3 ditë dhe me anë të një mesazhi thonë se nuk jemi më nesër në punë”, theksoi Aldo.
Nga ana tjetër, janë shtuar kërkesat për të kryer kurse në fushën e bareve dhe restoranteve. Termi, kamerier me shkollë, po merr formë.
“Në 2015 pagat kanë qënë 30 mijë lekë të reja, ndërsa sot pa 50 mijë lekë nuk është se gjen kollaj varet dhe nga vendi dhe aftësitë që ke. E shohin si një profesion afatshkurtër, por duhet të kuptojnë që edhe kamarierët mund të rriten brenda industrisë, sot kamarier, nesër menaxher.
Të jesh kamarier nuk është diksuh që mban pjatat apo është i sjellshëm. Një kamarier sot duhet të dijë me detaje, pjatat, salcat, mënyrën e gatimit, pijet apo verërat”, deklaroi Gladiona Dona, trajnere dhe konsulente hotelerie.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve ka thënë se nga muaji mars, do të ketë një rritje të çmimeve, për shkak të kostove të larta nga rritja e pagave dhe shtrenjtimi i çmimeve të importit të kafes apo çajrave. Sipas INSTAT-it, në Shqipëri, janë 17 mijë bare dhe restorante dhe në këtë sektor punojnë gati 100 mijë njerëz./EuroNews