Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, nuk i ka kursyer ironitë ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç, pas skenave të dhunës në seancë.
Duke folur në seancë Kamberi foli në lidhje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa shtoi se i gjithë faji për tensionet e ngritura kohëve të fundit po hidhet mbi Kosovën. Sipas tij, e gjithë kriza po personifikohet me figurën e kryeministrit Kurti.
“Albin Kurti nuk është as monstër e as terrorist. Ai është Kryeministër i zgjedhur në mënyrë legjitime i Qeverisë së Kosovës. Si të tillë do duhej ta pranonit dhe me të të arrinit marrëveshje”, ka thënë Kamberi teksa i është drejtuar Vuçiçit.
Ai ka shtuar se i vjen keq që Vuçiçi disa herë dje ka shprehur keqardhjen që Kurti nuk është ende nëpër burgjet serbe.
“A nuk do duhej rasti i tij dhe rasti i dhjetëra mijëra të rinjve shqiptarë të arrestuar atëkohë të ju shërbejë si dëshmi më e mirë për politikën e gabuar e represive të Serbisë në Kosovë? Keni arrestuar një të ri, keni fituar një Kryeministër me të cilin duhet patjetër të bisedoni e të arrini marrëveshje. Secili që është objektiv e di që kriza në Kosovë nuk daton nga viti i kaluar. Ajo është pasojë e politikës represive dhe të gabuar të cilën e keni udhëhequr me dekada”, është shprehur deputeti shqiptar.
Kamberi ka thënë se është fakt që Kosova ka qenë vendi ndaj të cilit është ushtruar represioni më i gjatë shtetëror në historinë e re të Ballkanit.
“Jemi në një situatë ku ka ardhur fundi i ekuilibrimit në dy karrige dhe kemi sinkronizim të plotë të qëndrimeve të BE-së dhe SHBA-së rreth domosdoshmërisë së arritjes të marrëveshjes me Kosovën. Taktizimet me prolongime nuk kanë më vend”, tha ai.