Autoritetet spanjolle kanë goditur sot një grup ndërkombëtar të trafikimit të kanabisit. Organizata përbëhej nga shtetas shqiptarë që vepronin në perëndimtë Almerisë. Gjatë operacionit janë sekuestruar 400 kilogramë hashash.
Në njoftimin zyrtar të Policisë Spanjolle thuhet se grupi kishte për qëllim që ta trafikonte drogën nëpërmjet transportit rrugor. Operacioni i koduar “Menthan” u zhvillua në Aguadulce dhe Vícar, pasi në këto dy zona ishte i përqëndruar aktiviteti kriminal.
Drejtoresha e Policisë, María Gámez tha se nga hetimet është zbuluar se të arrestuarit ishin pjesë e një fraksioni të një organizate ndërkombëtare që kishin lidhje me mafien italiane, “Sacra Corona Unita”.
Operacioni ka filluar që në prill të vitit të kaluar, ku u arrestua një person që po transportonte 26 kg kanabis.
Duke vazhduar me hetimet, agjentët zbuluan se pas këtij transporti ekzistonte një rrjet kriminal i organizuar dhe tepër i specializuar, i cili kishte burime të konsiderueshme ekonomike dhe njerëzore dhe se kishte kontaktet e nevojshme për të kapur një pjesë të konsiderueshme të tregut.