Policia e Tiranës ka publikuar ditën e sotme akuzat që rëndojnë mbi shtetasen Alda Klosi, ish-zyrtaren e arrestuar mbrëmjen e djeshme. Siç është raportuar edhe më herët, arrestimi ka vënë përballë dy deklarata, atë të pastrueses që akuzohet se vodhi 120 mijë euro në banesën e Klosit e cila e akuzon për inskenim, dhe asaj të ish-zyrtares.
Sipas njoftimit zyrtar të bluve të kryeqytetit Klosi akuzohet për veprat penale:
1.“Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”
2. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale”
3. “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ndaluan shtetasen A. K. (Ç)., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.