Ditën e sotme mbushen 79 vjet nga masakra e “4 Shkurtit” në Tiranë. Në përkujtim e nderim të viktimave të kësaj masakre, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në zyrë kryetarë të organizatave Kombëtare të Veteranëve dhe familjarë të dëshmorëve, për emërtimin e segmentit të rrugës nga Banka e Shqipërisë deri te lumi i Lanës, me emrin “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.
Kryebashkiaku tha se ndihet krenar për punën që po bëhet nga Bashkia e Tiranës për emërtimin me dinjitet të rrugëve të kryeqytetit.
“Jam shumë krenar për Këshillin Bashkiak që vendosëm të rikthejmë dinjitetin në vend, të zhbëjmë një padrejtësi me emërtesat në Tiranë. E kuptoj se sisteme të ndryshme, regjime të ndryshme, qeveri të ndryshme, politika të ndryshme, parti të ndryshme, kanë opinionet e tyre. Por, mendoj se disa gjëra, tashmë janë të rrënjosura në historinë tonë. Është fakt se Tirana pati 86 viktima, të cilët njihen si ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’. Është fakt se rruga ka qenë gjithmonë aty, ndaj rikthimi i emërtimit për segmentin nga Banka e Shqipërisë deri te Lumi i Lanës, si rrugë paralele me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rikthen këtë padrejtësi të bërë ndaj familjeve, ndaj dëshmorëve, dhe atyre që besojnë te kauza e anti-fashizmit”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se këto data të rëndësishme duhet t’i bëjnë bashkë shqiptarët dhe jo t’i përçajnë ata. Ai e konsideroi moment gëzimi emërtimin e kësaj rruge, por theksoi se duhet të ruhet vigjilenca ndaj ‘atyre që meren me emra rrugësh.
“Ftesa për këta shokë është: në Tiranë ka plot gjëra që mund të bëhen më mirë, unë jam vetë kritik, por është mirë ta mbajmë debatin këtu, nuk duhet të merremi me tabela rrugësh dhe me ndryshimin e historisë, sidomos kur propozime të tilla vijnë nga të rinj që duhet të përfaqësojnë frymën perëndimore dhe të respektojnë luftën. Le t’i lëmë këto biseda, janë pa bereqet, t’i rikthehemi krenarisë si një vendi të çliruar me forcat e veta dhe të kuptojmë se kur ne shqiptarët jemi bashkë, bëjmë gjëra shumë të mrekullueshme”, u shpreh Veliaj.
Gjergj Velo, kryetar i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, tha: “Rikthyet në vend një çështje që ishte, jo vetëm gabim, por edhe një shtrembërim dhe një vlerësim jo në kohën e duhur dhe jo në lartësinë e duhur. Ju e korrigjuat. Ju lumtë!”