Bandat shqiptare sërish në qendër të mediave të huaja. Në një artikull të publikuar ditën e djeshme nga “The Sun” shkruhet se ‘gangsterët’ shqiptarë janë gjithmonë një hap përpara ligjit. Gjithashtu ata theksohet se kanë gjetur dy rrugë të reja për ‘biznesin’ e tyre të trafikimit të emigrantëve. Një ekspert ka thënë për “The Sun” se bandat që kontrabandojnë emigrantë “përshtaten” dhe kanë gjetur mënyra të reja për t’i shpëtuar zyrtarëve kufirit.
Kjo pasi kryeministri Rishi Sunak u zotua të dëbojë një numër të shtuar të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë. U zbulua se një e treta e 33,029 emigrantëve që kaluan Kanalin midis janarit dhe shtatorit të vitit të kaluar ishin shqiptarë. Megjithatë, një ekspert i bandave i tha “The Sun” se bosët e krimit që qëndrojnë pas tregtisë nuk ka gjasa të shqetësohen nga fjalët e forta të Sunak.
Ai u shpreh: “Kontrabandistët janë gjithmonë përpara qeverisë. Ata do të ndryshojnë dhe do të përshtaten, por do të vazhdojnë të fusin emigrantët në vendin tonë. Përdorimi i varkave të vogla përtej Kanalit po hiqet gradualisht sepse ështëi rrezikshëm”
Duke identifikuar dy rrugët kryesore të përdorura nga bandat, ai tha: “Shefat e bandës rekrutojnë shoferë të korruptuar kamionësh në Belgjikë dhe Francë”.
“Më pas i japin ryshfet për të transportuar njerëz me kamion. Kur kamioni mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar, të paligjshmit i lënë të lirë në parkingje. Më pas vijnë të afërmit dhe i marrin“, shtoi ai.
Burimi tha se bandat paguajnë rreth 18,000 paund për person dhe rruga e dytë përfshin përdorimin e dokumentacionit të rremë. “Personat që kryesojnë bandat kanë shqiptarë në BE me aftësinë për të krijuar pasaporta false, plotësisht biometrike. Ata mund të krijojnë edhe leje drejtimi false. Bandat paguajnë nga 2 mijë deri në 3 mijë paund për pasaporta false. Pasi marrin një nga këto, thjesht fluturojnë për në Londër si turistë dhe janë këtu”, tha ai.
Ai e përshkroi tregtinë si shumë fitimprurëse, duke shtuar: “Është një biznes shumëmilionësh”. Burimi shpjegoi se si bandat kishin përqafuar mediat sociale, duke reklamuar shërbimet e tyre në platforma të tilla si TikTok.
Një ditë u panë 442 emigrantë që mbërrinin me dhjetë varka. Në një reklamë në Tiktok shkruhet: “Ata deportojnë 50, por ne do të dërgojmë 500”.
Në një tjetër ata mburren: “Askush nuk do të t’ju kthejë”.
“Do t’ju mbajnë vetëm një javë në qendrën e paraburgimit. Ne kemi një super çmim prej 4500 sterlinash. Pagesa në mbërritje“, thuhet më tej në njoftim.