Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka lënë në fuqi vendimin e 19 shtatorit të 2020-tës të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin e gjyqtarit të gjykatës së Apelit në Durrës, Tritan Hamitaj.
Lënia në fuqi e shkarkimit të Hamitajt ka hyrë në fuqi ditën e sotme nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatorë dhe Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë.
Tritan Hamitaj nuk rezultoi i pastër në kriteret e vlerësimit të figuriës sa i takon pasurisë dhe profesionalizmit.
Tritan Hamitaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë dy dekadave ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Lushnjes, atë të Durrësit dhe Gjykatën e Apelit në Durrës. Hamitaj ka mbajtur edhe pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2010-2015.
Njoftim vendimi:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 61/2020, datë 18.12.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Tritan Hamitaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 297, datë 17.09.2020.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 297, datë 17.09.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Tritan Hamitaj.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 06.02.2023