Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka folur në lidhje me skandalin e McGonigal, i cili akuzohet se ka fshehur takimet me kryeministrin Edi Rama. Edhe pse i rezervuar në përgjigjen e tij, Begaj u shpreh se nuk kishte biseduar me kryeministrin për këtë çështje, por është njohur nga media.
“Pres që të bëjnë analizat dhe deduksionet e tyre institucionet kompetente dhe, më pas, të dal me opinionin tim personal.”- tha Presidenti, i cili vlerësoi kërkesën e opozitës në SPAK për të hetuar këtë çështje dhe përfshirjen e Kryeministrit në dyshimet për të korruptuar zyrtarin e lartë të FBI-së.
“Shumë mirë që opozita i është drejtuar institucioneve ligjzbatuese në vend për t’u marrë me procesin. Dhe kështu duhet të jetë. Duhet të kemi besim tek institucionet.”- pohoi Presidenti i Republikës në emisionin “Pa Censurë” ne RTSH.
Pjesë nga Intervista:
Pyetje: Opozita ka paralajmëruar protestë që e lidh me aferën e ish zyrtarit të FBI-së dhe dyshimet se ai u korruptua nga qeveria e Shqipërisë. Si e keni përcjellë këtë lajm? I keni kërkuar kryeministrit ndonjë sqarim apo prokurorisë të hetojë?
Presidenti Bajram Begaj: Ju thashë dhe pak më parë. Jam një lexues dhe vëzhgues i rregullt i raporteve, si i atyre në vend, ashtu edhe i raporteve ndërkombëtare. Po kështu, jam informuar rreth çështjes që ju sapo përmendët, përmes medias dhe nëpërmjet informimit nga burime të hapura. Duke qenë një lexues i vëmendshëm, pres që të bëjnë analizat dhe deduksionet e tyre institucionet kompetente dhe, më pas, të dal me opinionin tim personal.
Pyetje: Për cilat institucione kompetente e keni fjalën?
Presidenti Bajram Begaj: Kjo është një çështje nën hetim dhe, sa kohë është një çështje nën hetim, ne duhet të presim derisa ajo të mbarojë
Pyetje: Nën hetim është në SHBA
Presidenti Bajram Begaj: Po, atje ka filluar.
Pyetje: Ka edhe një kërkesë nga opozita. A duhet të hetohet këtu?
Presidenti Bajram Begaj: Shumë mirë që opozita i është drejtuar institucioneve ligjzbatuese në vend për t’u marrë me procesin. Dhe kështu duhet të jetë. Duhet të kemi besim tek institucionet.