Një 41-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lezhës, pasi fillimisht u konstatua se po drejtonte mjetin në gjendje në dehur. Pasi efektivët e ndalën për kontroll, shtetasi Luan Zabata i drejtoi pistoletën punonjësve të policisëm për të shmangur arrestimin. Pas testit të alkoolit, 41-vjeçari rezultoi në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l. Blutë arritën ta neutralizonin dhe të shmangin kështu një tragjedi të mundshme. Arma, për të cilën shtetasi nuk dispononte leje, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në kuadër të kontrolleve të shtuara gjatë natës, në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Neutralizimi”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Shëngjin, në mesnatë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi L. Z., i cili ka krijuar dyshime tek punonjësit e Policisë, nga përgjigjet dhe sjellja e tij. Për këtë shkak, është informuar se do t’i kryheshin kontrolle fizike dhe kontrolle në automjet, si dhe testi i alkoolit. Në atë moment, ky shtetas ka kundërshtuar kryerjen e veprimeve procedurale duke nxjerrë një armë zjarri që mbante me vete dhe ua ka drejtuar punonjësve të Policisë, me qëllim që të largohej dhe të shmangte arrestimin.
Ndërhyrja e menjëhershme dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, ka bërë të mundur neutralizimin e menjëhershëm të shtetasit L. Z., i cili pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me fishekë në fole, e gatshme për qitje, që mbahej pa leje nga ky shtetas.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin L. Z., 41 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.