Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se shiste kafe të kontrabanduar dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti. Shtetasi me inicialet A.M., banues në Tiranë akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Blutë kanë gjetur e sekuestruar në automjetin e 39-vjeçarit 40 kilogramë kafe të ndarë në pako dhe 7 pajisje për përpunimin e saj.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Espresso”.
Furnizonte dyqane të ndryshme, me pako me kafe, të dyshuara të kontrabanduara dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet, vihet në pranga 39-vjeçari.
Sekuestrohen 400 kg kafe e dyshuar e kontrabanduar dhe 7 pajisje për përpunimin e kafesë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që furnizonte disa dyqane, me kafe të dyshuar të kontrabanduar, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Espresso”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Unazë të Madhe, automjetin me drejtues shtetasin A. M. Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 400 kg kafe të dyshuar të kontrabanduar, të ndarë në pako, me të cilat ky shtetas furnizonte disa dyqane, në zona të ndryshme të Tiranës. Sasia e kafesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 7 pajisje që shërbejnë për përpunimin e saj.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.