Teksa vendi po përballet me temperatura të ulëta, strukturat e Bashkisë së Tiranës janë në gatishmëri për t’u siguruar një ambient të ngrohtë dhe ushqim për të gjithë personat e pastrehë në qendrën sociale “Strehëza”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputetin e PS, Eduard Shalsi, vizituan mbrëmjen e djeshme personat e sistemuar në këtë qendër pritëse ku dhe po marrin të gjitha shërbimet e nevojshme. Kryebashkiaku bëri thirrje që këto ditë të ftohta dimri të bëjmë veçanërisht më shumë kujdes për këdo që ka nevojë për përkujdesje.
“Kemi një qendër me të gjitha kushtet për të kaluar netët e ftohta, sidomos për ata që janë në situatë rruge, që mund të jenë edhe nga një qytet tjetër dhe i ka kapur nata në Tiranë. Edhe pse Tirana e ka dimrin shumë të shkurtër, ne duam që këtu të trajtojmë me dinjitetin maksimal njerëzor çdo njeri. Të gjithë kemi dëgjuar histori njerëzore. Fati i hedh dhe i pret njerëzit aty ku nuk të shkon imagjinata njerëzore. Secili mund të ketë pasur dramat dhe problematikat e veta. Ne kemi këtu edhe një psikolog dhe asistencë sociale. Por, mbi të gjitha, duam që në këto netë të vështira të jemi këtu me një strehë, krevat, batanije dhe ushqim të ngrohtë. Duam të sigurohemi që asnjë në qytetin e Tiranës, që sigurisht ka një milion vetë dhe një milion problematika, por ka gjithashtu edhe një milion zemra që ofrojnë solidaritet dhe askush të mos ndihet vetëm“, u shpreh Veliaj.
Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që mund të hasin njerëz në vështirësi për të sinjalizuar institucionet dhe të telefonojnë në numrin e emergjencës.
“Thirrja për të gjithë qytetarët është: Nëse pikasni dikë që është në situatë rruge, telefononi 112-ën, ose Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, apo Ambulancën, që më pas t’i sjellim në qendrën tonë. Ne sigurohemi që, ata të cilët strehohen këtu kanë të gjitha kushtet e higjienës, ushqimin dhe pasi të kalojë kjo valë e të ftohtit, secili mund të kthehet në vendin e tij të origjinës. Nëse i kap nata në Tiranë dhe nëse për një arsye apo një tjetër janë në situatë rruge, duam që në këtë strehë, ta gjejnë një derë të hapur, një zemër të hapur, një krevat të shtruar dhe një vakt të ngrohtë”, u shpreh ai.
Veliaj tha se qendra “Strehëza” në Njësinë Administrative 1 në Tiranë trajton rastet më specifike të njerëzve, që kanë nevojë për më shumë përkujdes. Gjithashtu, në kryeqytet janë hapur për strehim edhe të gjitha qendrat e tjera sociale për t’u ardhur në ndihmë të kujtdo që ka nevojë.
“Ne i kemi hapur të gjitha qendrat sociale të Tiranës gjatë kësaj jave, për të akomoduar ata që janë në situatë rruge. Por, në mënyrë specifike, qendra “Strehëza” këtu në Shkozë është për të trajtuar ato raste që kanë nevojë për një ose më shumë ditë për të pasur një hapësirë të tillë. Duhet të jemi gjithmonë duke menduar cila është gjëja më e mirë për të ndihmuar personin dhe jo për të prodhuar sensacionin e radhës. Ndaj ju lutem bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim. Në momentin që ne sinjalizohemi, veprojmë menjëherë”, përfundoi Veliaj.
Qendra “Strehëza” në Shkozë është ngritur në vitin 2018 dhe prej kësaj kohe funksionon si qendër ditore për strehimin e personave që nuk kanë një vend për të fjetur dhe u sigurohet mbështetje me fjetje, ushqim dhe trajtim psiko-social.