Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka reaguar pas shkëputjes së ashensorit në Tiranë një ditë më parë, ku mbeti e plagosur një grua.
Në një reagim publik, ISHMT shpjegon se nga konstatimet që kanë kryer ka rezultuar se ashensori ka pësuar defekt gjatë funksionimit të tij në kushtet e mbingarkesës. Po ashtu ISHMT shprehet se ky ashensor nuk rezulton i regjistruar pranë këtij Inspektoriati.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me incidentin e ndodhur mbrëmjen e datës 06.02/2023 në ashensorin në adresë: Rruga “Teodor Keko”, Njësia 14, pallati 18/67, nga ana e Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut është bërë inspektimi i menjëhershëm duke kryer verifikimet paraprake, prej të cilave rezultoi se,
a) Ashensori ka pësuar difekt gjatë funksionimit të tij në kushtet e mbingarkesës me një numër më të madh personash, përtej ngarkesës nominale. Ky incident nuk shkaktoi pasoja të rënda në shëndetin e personave.
b) Ky ashensor nuk rezulton i regjistruar pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut.
Referuar legjislacionit të kësaj fushe, personi përgjegjës mbi funksionimin e ashensorit (ndërtuesi ose administratori i pallatit) ka detyrimin ligjor për të bërë regjistrimin e tij. Por në rastin konkret nuk ka një aplikim pranë ISHMT-së për regjistrim, ndërkohë që ashensori ka qënë në funksionim që nga viti 2012.
Nga ana e e personave përgjegjës (ndërtuesi ose administratori i pallatit) për këtë ashensor nuk ishte kryer ndonjëherë vlerësimi i konformitetit (çertifikimi) nga një Organ i Miratuar për Vlerësimin e Konformitetit(OMVK) .
Parashtrojmë se në kushtet kur një ashensori nuk i bëhet vlerësimi i konformitetit me rregullat teknike nga një organizëm OMVK, dhe kur nuk bëhet regjistrimi i tij pranë ISHMT-së duke mos ju nënshtruar në vijim inspektimeve periodike, ashensori realisht konsiderohet i pasigurt dhe nuk lejohet të vihet në përdorim.
c) Në momentin e inspektimit të menjëhershëm nga ISHMT, ashensori i lartpërmendur ishte rivendosur në punë nga personat përgjegjës.
d) Në këto kushte nga ana e inspektorëve u morën masat urgjente e heqjes nga funksionimi i ashensorit deri në mënjanimin e gjithë të metave teknike të konstatuara, duke përfshirë për këtë edhe një Organ të Miratuar për Vlerësimin e Konformitetit .