Pas heshtjes disa javore mbi kërkesën gjithmonë e më këmbëngulëse të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve ndaj Kosovës për të pranuar krijimin e të ashtuquajturit “Asocacion i komunave me shumicë serbe”, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë mbajti një qëndrim të dyzuar në përgjigje të një kërkese për koment nga BIRN, ku në gjysmën e fjalisë mbështetet qëndrimi i qeverisë së Kosovës e në gjysmën tjetër ai i partnerëve ndërkombëtarë.
“Ndërsa mbështesim vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur demokratisht, në një shtet sovran dhe të pavarur, jemi njëkohësisht falënderues për angazhimin intensiv dhe serioz të BE-së dhe ShBA-së në procesin e dialogut dhe përpjekjet e tyre për krijimin e një momenti të ri në këtë diskutim të vështirë,” thuhet në deklaratën e lëshuar nga Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diasporës pranë Ministrisë së Jashtme.
Pas tensioneve dhe një serie incidentesh në Veri të Kosovës në fund të vitit të kaluar, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur presionet për një marrëveshje të ashtuquajtur përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Në tavolinë është një plan që njihet gjerësisht si “Propozimi Franko-Gjerman”.
Marrëveshja, siç thonë palët, ka si qëllim të normalizojë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës dhe të shmangë përshkallëzim të konfliktit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një sqarim në parlament për këtë plan thotë ndër të tjera se ai përfshin njohjen reciproke, normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, përfshi atë për krjimin e një “Asocacioni të komunave me shumicë serbe”.
Kjo pikë e marrëveshjes u dakordësua fillimisht nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç në vitin 2013, por u shpall pjesërisht antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kryeministri aktual, Kurti këmbëngul që ky vendim i gjykatës të zbatohet, duke refuzuar asociacionin siç përshkruhet në marrëveshjen e vitit 2013.
Kjo ka sjellë rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Kosovës.
Përmes një letre të hapur më 30 janar, Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, apeluan që asociacioni të krijohej. “Ndër detyrat më kritike mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet në letrën e hapur publikuar në të përditshmen kosovare Koha Ditore.
Në këtë situatë, Tirana zyrtare ka zgjedhur të heshtë publikisht.
Në përgjigje të një kërkese për koment nga BIRN, Ministria e Jashtme e quan vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të panegociueshëm, por mbështet negociatat për Asosacionin.
“Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në vlerësimin tonë vendimi i Gjykatës Kushtetuese së Kosovës është një vendim i panegociueshëm dhe palët mund të ulen dhe të negociojnë një kuadër të ri ligjor mbi statutin dhe funksionimin e Asociacionit, vetëm mbi bazën e këtij vendimi,” thuhet në përgjigje.
Enver Robelli, gazetar nga Kosova me qëndrim në Zvicër, që shkruan për të përditshmen zviceriane “Tages Anzeiger” i konsideron deklaratat e qeveritarëve në Tiranë për Kosovën si indiferente.
“Kanë qenë aq indiferente thua se për Kosovën po prononcohej qeveria e ndonjë principate të largët dhe jo Shqipëria, e cila ka edhe obligim kushtetues të mbështes shqiptarët jashtë Shqipërisë,” tha Robelli për BIRN.
Sipas tij, arsyet e këtij qëndrimi të ftohtë duhen parë në atë që ai e quan dështim të projektit për të ndryshuar kufijtë e Kosovës. Gjithashtu, Robelli kritikon edhe angazhimin e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet në Shqipëri, që përkeqësoi më tej marrëdhëniet.
Robelli është i ashpër edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, që sipas tij mban përgjegjësinë kryesore për situatën mes dy vendeve.
“Por arsyeja kryesore e acarimit është protagonizmi i dëmshëm i kryeministrit të Shqipërisë në raport me Kosovën, mënyra se si ai me mjaft arrogancë ka celebruar miqësinë e tij me presidentin serb, nonshalanca me të cilën ka folur për krimet serbe në Kosovë, gjuha pa takt në forume ndërkombëtare”, përfundoi Robelli./ Reporter.al