Çmimi i bulmetit do të pësojë sërish rritje/ Hoxha: Situatë e vështirë për përpunuesit

Kostot e prodhimit dhe shtrenjtimi nga fermerët, pritet sërish rritje për çmimin e bulmetit nga qumështi i deles
Çmimet e nënprodukteve të qumështit si djathi dhe gjalpi të prodhuar nga qumështi i deles do të shënojnë rritje në muajt në vijim në tregun me pakicë.

Kreu i shoqatës së industrisë së përpunimit të qumështit Donjaldo Hoxha thotë për mediat  se kjo rritje do të aplikohet për shkak të shtrenjtimit të qumështit nga fermerët tek të cilët fabrikat e përpunimit e blejnë 1 litër qumësht me 160 lekë nga 110 që ishte më parë.

“Aktualisht viti 2023 paraqet situatë të vështirë për operimin e sektorit të përpunimit të qumështit. Nëse do të flasim konkretisht kemi qumështin e deles dhe të dhisë që është një qumësht sezonal që ka një ndryshim të çmimit me të cilin blihet nga fermerët dhe blegtorët që e prodhojnë. Nëse më parë çmimi ka qenë 110 lekë pa TVSH për litër tashmë ai është deri në 160 lekë pa TVSH për litër. Ky ndryshim në çmimin e lëndës së parë të qumështit të të imëtave, të deleve dhe dhive, automatikisht do të rëndojë në kostot e operimit të sektorit të përpunimit të qumështit për ato kompani që operojnë me qumësht dele apo qumësht dhie. Kjo kosto e shtuar do të bëj që secila kompani të bëj analizat e veta të kostos dhe të ketë çmimet përkatëse në treg për produktet e tyre me qumësht dele dhe dhie”, tha Hoxha.

Në shoqatën e Industrisë së përpunimit të qumështit bëjnë pjesë 8 kompani të mëdha. Sipas kreut të shoqatës, edhe në vitin 2022 sektori i përpunimit të qumështit ka pasur kosto të shtuara për shkak të rritjes së çmimit të energjisë, naftës si dhe gazit.

“Gjatë vitit 2022 sektori i përpunimit të qumështit është ndeshur me kosto të shtuara në energji elektrike, naftë, gaz, por gjithashtu është vendosur dhe një akcizë për gazin prej 6 lekësh për litër si dhe rritje të lëndëve paketuese për shkak se kjo industri u impaktua nga çmimet e energjisë dhe naftës. Të gjitha këto bashkë bënë që kostot e sektorit të ishin të larta të cilat u reflektuan në ndryshime çmimesh gjatë periudhës qershor- korrik-gusht dhe shtator 2022”, deklaroi Hoxha.

INSTAT raportoi se në muajin dhjetor të vitit 2022, çmimet e qumështit dhe nënprodukteve të bulmetit ishin rreth 25% më të larta se në dhjetorin e vitit 2021. Bulmeti ishte grupi me rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *