Rritet numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi Sirinë dhe Turqinë . Viktimat e konfirmuara për momentin do të ishin mbi 8,300 . Ndërkohë, është një garë me kohën dhe të ftohtin për të gjetur të mbijetuarit dhe për t’i nxjerrë nga rrënojat. Dhjetra shkolla, spitale dhe objekte të tjera mjekësore dhe arsimore u dëmtuan ose u shkatërruan nga lëkundjet, “me ndikim të rëndë te fëmijët”, raporton Unicef.
Deri më tani janë shpëtuar 8,000 njerëz: një grua dhe tre fëmijët e saj janë gjetur gjithashtu pas 28 orësh nën rrënoja.
Një adoleshent 15-vjeçar, Mahmut Nebi Uygul, u shpëtua pasi mbeti nën rrënoja për 35 orë në Adiyaman, një qytet në Turqinë juglindore të goditur nga tërmeti. Këtë e ka bërë të ditur agjencia Anadolu duke bërë të ditur se djali është transferuar në spital ku po qëndron edhe vëllai i tij i madh i cili ishte shpëtuar më parë.
Ekipet e shpëtimit dhe automjetet po mbërrijnë nga e gjithë bota.
Meksika ka dërguar 16 qen shpëtimi shumë të specializuar në Turqi, disa prej të cilëve kanë të dhëna mbresëlënëse të shpëtimit nën rrënojat nga tërmetet.